Takimi i liderëve vazhdoi, partitë larg marrëveshjes


Pas gjysmë ore pauzë në Klubin e deputetëve vazhdoi takimi i liderëve të katër partive më të mëdha në vend, kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski dhe Bilall Kasamit nga njëri krah i Lëvizjes BESA.

Informatë zyrtare për atë se çka është biseduar në pjesën e parë të takimit tani për tani nuk ka. Nga LSDM thonë se bisedimet vazhdojnë, por se liderët janë larg marrëveshjes. VMRO-DPMNE brifojnë se në takim ende nuk është bërë fjalë për referendumin, por është biseduar për konceptin e financimit të partive politike dhe për Ligjin për Qeveri. Prej atje thonë se partitë në pushtet, në takim kanë ardhur të papërgatitura. Nga partia opozitare informojnë se Mickovski, megjithatë, nuk do të bëjë thirrje për bojkotim të referendumit, në situatë kur LSDM insiston në referendum të suksesshëm.

Në takimin e liderëve duhet të diskutohet për disa çështje, mes të cilave edhe për përbërjen e KSHZ-së dhe referendumin e ardhshëm në vjeshtë për emrin, posaçërisht për formulimin e pyetjes së referendumit.

Gjatë pauzës, liderët Zaev, Ahmeti dhe Kasami u ulën në një tavolinë, prëderisa lideri i VMRO-DPMNE-së Mickovski kafenë e piu në oborrin e Klubit të deputetëve, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.