Studentët protestojnë në Tetovë
Në qendër të Tetovës u tubuan qindra studentë të cilët me moton “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, filluan protestën. Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe universitetet në Maqedoni, plotësimin e kërkesave.
Me pankarta të ndryshme ato shpalosën kërkesat e tyre duke brohoritur se duan të drejtat e tyre.
“Studentët e bashkuar”, “Jashtë partive politike”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, “Duam të drejtat tona” ishin brohoritjet kryesore të studentëve që kërkojnë plotësimin e 13 kushteve që i kanë shpalosur.
Studentët janë drejtuar drejt universiteteve të cilët janë edhe si shënjestrim i tyre për të plotësuar kërkesat.
Studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë edhe ditët në vazhdim.
Ja cilat janë kërkesat e tyre:
1. Kërkojmë reforma përmbajtesore në sistemin e arsimit të lartë në Maqedoni, në frymën e trendeve bashkëkohore në shtetet e përparuara të botës.
2. Liri akademike, transparencë, pjesëmarrje adekuate të studentëve në vendimmarrje, në organet drejtuese të fakulteteve dhe universitetit.
3. Sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për proces edukativ-arsimor efikas, biblioteka universitare, librari, ndërmarrje të studentëve etj.
4. Heqja e pagesës për praktikë dymujore në Universitet, zbritja e tarifës për studentët e huaj (50%), heqja e pagesës prej 100 € për çregjistrim nga Universiteti, heqja e pagesës prej 100 € për marrjen e diplomës etj.;
5. Të financohet ekskursioni profesional ose të hiqet si lëndë obligative;
6. Ndalimi i blerjs së librave dhe dispensave të palisencuara si kusht për marrje të nënshkrimit nga profesorët;
7. Furnizimi, pajisja dhe renovimi i mësojtoreve, sallave, laboratorëve me mjete të domosdoshme për nevojat e studentëve;
8. Publikimi i statutit, rregulloreve të Universitetit dhe raportet e vlerësimit nga evaluimi i brendshëm dhe i jashtëm i Universitetit;
9. Parlamenti Studentor të jetë i pamvarur nga udhëheqësia e Universitetit dhe ndikimet partiake;
10. Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore;
11. Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave, sa është respektuar ligji , afatet kohore për marrjen e titujve mësimor-shkencorë;
12. Ndalimi i diskriminimit në baza gjinore dhe kushtëzimi i studenteve me akte të turpshme për shkëmbim të notave;
13. Kërkojmë nga organet kompetente të pushtetit, agjencioni për antikorrupsion, inspektoriati i arsimit dhe policia financiare që të hetojnë çdo shpenzim nga pjesa e buxhetit të universitetit që plotësohet nga kontributet e studentëve;
14. Të ndërpritet praktika e emërimit të udhëheqësve të Universitetit dhe mësimdhënësve nga partitë politike;
15. Të çlirohen Universitetet nga nepotizmi i skajshëm, në vend të familjarëve të punësohen kuadro të kualifikuar që do të punojnë në interes të studentëve e jo për interesa personale dhe familjare.