Spasovski: Mos prisni se hetimet për vrasje do t’i zhvillojmë përmes mediave


MPB-ja nuk është mbrojtja e shtetit në vetvete, MPB-ja dhe siguria në shtete jemi të gjithë ne. Edhe qytetarët edhe institucionet tjera duhet të ndërmarrin masa nga kompetenca personale nëse duam që të jemi efikas.

Ky është mesazhi i ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, që e dërgoi sot pas pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve dhe pajisjes për MPB nga Policia federale e Gjermanisë, si përgjigje e pyetjes së gazetarëve për siguri të qytetarëve pas vrasjeve gjithnjë e më të shpeshta që po ndodhin.

Ai informoi se në vitin 2018 kanë ndodhur 18 vrasje, nga të cilat vetëm një nuk është zbardhur.

“Apeloj të mos prisni se hetimet do t’i zhvillojmë përmes mediave. Ju do t’i vendosni kamerat, ndërsa unë do t’i komunikoj të gjitha detajet, edhe pse e di se kjo është shumë interesante. Këtë mos e prisni nga unë. Kur do të kemi informacione konkrete, ne i ndajmë me opinionin”, tha Spasovski.

Në pyetjen sa është harku kohor që i duhet MPB-së të dalë me detaje për një hetim të caktuar për zbardhjen e vrasjes, konkretisht për vrasjen në “Ruzveltova”, Spasovski potencoi se zhvillimi i hetimeve do të përfundojë kur do të përfundojnë të gjitha veprimet.

“Zhvillimi i hetimeve nuk do të thotë ndërtim i një ndërtese. Ky nuk është plan që bëhet paraprakisht dhe saktë çdo ditë t’i merrni këto të dhënat dhe informacione, shtoi Spasovski.

Theksoi se MPB-ja ndërmerr masa parandaluese, që kanë kontribuar që numri i vrasjeve të jetë dukshëm i ulur në krahasim me vitin paraprak.

Lidhur me vrasjen në Saraj, informoi se MPB-ja për vrasësin edhe në vitin 2014 edhe në dhjetor të vitit 2018 ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë publike për armëmbajtje.

“Kjo procedurë në vend që të përfundojë me paraburgim, shkon me procedurë të rregullt dhe ai është i lirë. Ekzistojnë shumë aktivitete të këtilla dhe kjo tregon se duhet sistemi të përforcohet”, sqaroi ministri Spasovski.

Lidhur me vrasjen në “Partizanska” në Shkup, informoi se është konstatuar se bëhet fjalë për të shtëna në ajër, e jo për të shtëna mes dy automjeteve. Paralajmëroi se shumë shpejt MPB-ja do t’i identifikojë personat.

Në pyetjen sa është numri i armëve ilegale në vend, ministri Spasovski theksoi se ka shumë parashtresa, por se është shumë vështirë të konfirmohet kjo shifër, sidomos pas konfliktit në vitin 2001. Përkujtoi se janë organizuar disa aksione për dorëzim vullnetar të armëve ilegale, por edhe mundësi për legalizim të armëve.

Ministri Spasovski theksoi se MPB-ja punon vazhdimisht dhe ndërmerr aktivitete për parandalim të trafikimit me armë dhe të mjeteve narkotike.