Sot nënshkruhet Protokolli aderues i Maqedonisë në NATO


Njëzet e nëntë vendet anëtare të Aleancës Veriatlantike sot në selinë e organizatës do ta nënshkruajnë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Në ceremoninë zyrtare është ftuar ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, i cili do të marrë pjesë në solemnitetin e nënshkrimit. Nënshkrimi do të zhvillohet në nivel të përfaqësuesve të përhershëm diplomatik të vendeve anëtare.

Prej sot, Maqedonia mund të marrë pjesë në të gjitha formatet kyçe të Aleancës, por nuk do të ketë të drejtë vote, e as nuk do të marrë pjesë në takimet më të besueshme dhe më të ndjeshme, derisa t’i fitojë njohuritë dhe përvojën e nevojshme.

“Me këtë hap do të rrumbullaksohet një pjesë e rëndësishme e procesit aderues, pas të cilit vijon ratifikimi i Protokollit aderues në Parlamentet nacionale të vendeve anëtare të NATO-s. Pas nënshkrimit të Protokollit aderues, Republika e Maqedonisë do të marrë pjesë të gjitha takimet e NATO-s, në cilësinë e vendit të ftuar”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Pas nënshkrimit të sotëm, fillon procesi i ratifikimit të protokollit nga ana e parlamenteve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, proces i cili mund të zgjasë një vit e gjysmë.

Për Maqedoninë, pritet që ky proces, megjithatë, të jetë më i shkurtër, sepse ai po bëhet gjithnjë më i shkurtër e më i shkurtër me çdo vend të ri anëtarë.

Ambasadori slloven në NATO, Jelko Kacin beson se ky protokoll mund të ratifikohet deri në fillim të vitit të ardhshëm qëndrim të cilin e ndajnë shumica në Aleancë. Nëse procesi ngadalësohet kjo është falë arsyeve procedurale të rrepta, për shkak procesit të gjatë të ratifikimit si për shembull në Kanada dhe Belgjikë, por edhe në pengesa politike.

Greqia duhet të jetë vendi i parë që do ta ratifikojë këtë protokoll. Seanca parlamentare në Athinë është caktuar për të premten më 8 shkurt, me të cilën në mënyrë simbolike, Greqia do ta “hap” derën e NATO-s për Maqedoninë, 11 vjet pasi e bllokoi në Bukuresht.