Shumica e qytetarëve të Maqedonisë mbështesin zgjidhjen e çështjes së emrit


Shumica e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë i mbështesin përpjekjet e kryeministrit Zoran Zaev dhe Qeverisë lidhur me zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin. Gjashtëdhjetë e tre për qind e të anketuarve në anketën që e zbatoi Instituti ndërkombëtar për studime të Lindjes së Afërt dhe ballkanike (IFIMES) nga Lubjana shprehën mbështetje. Njëmbëdhjetë për qind nuk japin mbështetje, përderisa 26 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim.

Hulumtimi i mendimit publik është kryer në periudhën prej 19 deri më 28 shkurt për 998 persona.

Shumica e qytetarëve e konsiderojnë Greqinë si vend mike. Në pyetjen nëse Republikën e Greqisë e konsiderojnë për shtet mik, 41 për qind u përgjigjën pozitivisht, 33 u përgjigjën me “jo”, përderisa 26 për qind nuk kanë qëndrim.

Pesëdhjetë e nëntë për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht punën e Qeverisë së Zaevit, 25 për qind dhanë vlerësim negativ, ndërsa 16 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim.

Punën e presidentit të shtetit, Gjorge Ivnaov pozitivisht e vlerësuan 14 për qind e qytetarëve të anketuar. Shtatëdhjetë për qind e vlerësuan negativisht, ndërsa 16 për qind deklaruan se nuk kanë qëndrim.

Shumica e madhe e mbështesin punën e Prokurorisë Speciale Publike, të kryesuar nga prokurorja Katica Janeva.

Shtatëdhjetë e tetë për qind e mbështesin punën e PSP-së, 14 për qind nuk e mbështesin, ndërsa tetë për qind nuk kanë qëndrim.

Pesëdhjetë e shtatë për qind e mbështesin miratimin e ligjit për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe gjuhën e bashkësive etnike pakicë.

Njëzet e tetë për qind nuk japin mbështetje, ndërsa 13 për qind nuk kanë qëndrim.

Gjashtëdhjetë e gjashtë për qind kanë pikëpamje optimiste ndaj të ardhmes, 24 për qind nuk kanë pikëpamje të tillë, ndërsa dhjetë për qind deklaruan se nuk kanë qëndrim.

Shumica e madhe e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë (83 për qind) e mbështesin hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian. Gjashtë për qind nuk dhanë mbështetje, përderisa 11 për qind u deklaruan se nuk kanë qëndrim.

Shtatëdhjetë e një për qind e të anketuarve e mbështetën hyrjen e vendit në NATO.

Tetë për qind konsiderojnë se vendi nuk duhet të hyjë në Aleancë, përderisa 21 për qind nuk kanë qëndrim.