“Shpagimi” për Ministrinë e Shëndetësisë, pritet takim Sela – Zaev


Të enjten pritet të ketë takim mes liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe liderit të LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev, në lidhje me çështjen e plotësimit të vendeve të zbrazëta ministrore, mëson Portalb.mk.

Paralajmërimet për takim vijnë pasi që dje Qeveria zyrtarisht njoftoi se Ministrinë me të cilën ka udhëhequr Aleanca për Shqiptarët, gjegjësisht, Arben Taravari i cili u largua nga posti për shkak se u bë kryetar i Gostivarit, do ta marrë kandidati i LSDM-së , Venko Filipçe.

Ajo çfarë pritet të diskutohet në takimin mes Selës dhe Zaevit, janë opsionet se si të “shpaguhet” Aleanca për Shqiptarët për Ministrinë e Shëndetësisë. Ndonëse Qeveria zyrtarisht njoftoi se Selës i është dhënë ofertë për njërin nga zëvendësministrat e Qeverisë, Aleanca nuk është e kënaqur me të njëjtën dhe sipas burimeve të partisë, ata kërkojnë që në këmbim të Shëndetësisë të marrin ndonjë ministri me resor.

Nga Qeveria nuk japin informata në lidhje me atë se kur do të dërgohen propozimet për ministrat e rinj në Kuvend që të votohen, ndërkaq sipas informatave jo-zyrtare që po qarkullojnë nëpër media, kjo pritet të ndodhë në dy ditët e ardhshme.

Qeveria pret “haber” nga Sela për ofertën që bashkë me propozimet e dy ministrave të rinj pa resor dhe zëvendësministrit të Arsimit t’i dorëzojë në Kuvend. Njëri nga ministrat pa resor i takon Partisë për Emancipim të Romëve (PEPR), pasi që Samka Ibrahimovski u bë deputet dhe në vend të tij, pritet që të vendoset një anëtarë i partisë së tij, që tani për tani nuk bëhet i ditur emri. Ministër pa resor dhe zv/ministër të Arsimit duhet të propozojë BDI, pasi që Ramiz Merko dhe Visar Ganiu u bënë kryetar komunash në zgjedhjet e 15 tetorit.

Ndryshe kandidati për ministër të Shëndetësisë, neurokirurgu Filipçe që momentalisht është këshilltar i Zaevit për Shëndetësi, ka qenë pjesë e Plenumit Kundërshar të Profesorëve, që ishin me një linjë me VMRO-DPMNE-në, gjegjësisht i mbronin politikat e reformave në arsim të Nikolla Gruevskit që donin të vendosnin testim ekstern nëpër fakultete.

Ai nuk e ka mohuar këtë, por ka theksuar se në atë kohë nga një specializant ka qenë i informuar se po nënshkruan iniciativë për gjoja reforma në Fakultetin e Mjekësisë.

“Më vonë doli se ato ishin informata të rreme për një Plenum Kundërshtar, që nuk kishte asgjë të përbashkët me informacionet e para. Nuk kam pasur aktivitete, as që kam qenë anëtar i ndonjë Plenumi Kundërshtar, e as që jam pajtuar me qëndrime të tilla. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem përkrahës i të gjitha ndryshimeve demokratike që ndodhin dhe duhet të ndodhin në Maqedoni, duke i përfshirë këtu edhe reformat e patjetërsueshme në shëndetësi dhe arsim”- ka theksuar Filipçe në një deklaratë për “Fokus”.