Shiu i rrëmbyeshëm e vështirëson trafikun, të larta nivelet e lumenjve


Të reshurat intensive të shiut kanë shkaktuar ndërprerje dhe e kanë ngadalësuar trafikun në një pjesë të rrugëve, ndërsa të larta janë nivelet në të gjithë lumenjtë e shtetit.

Lidhja Auto Moto e Maqedonisë informoi se për shkak të reshurave të rrëmbyeshme nuk është e kalueshme rruga lokale nga fshati Zheleznec deri në fshatin Malo Ilino në Demir Hisar. Është vështirësuar edhe zhvillimi i trafikut në rrugën Mavrovë – Galiçnik, 100 metra para Careva Çeshmës për shkak të derdhjes së ujit në rrugë.

Për shkak të rrëshqitjes së tokës, nëpër një korsi të rrugës në një gjatësi prej 10 metrave po zhvillohet edhe trafiku në rrugën Vinicë – Berovë te vendi i quajtur “Ribarnik”.

Po sanohet edhe përmbytja në mbikalimin te udhëkryqi Matkë  në Shkup, në afërsi të pompës së benzinës “Bis Oil”. Në përmbytjen e shkaktuar nga shiu  dhe defekti në rrjetin  e ujësjellësit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizim” ishin bllokuar katër automjete, ndërsa njerëzit prej tyre janë nxjerrë nga Brigada zjarrfikëse.

Ulje të dukshmërisë për shkak të paraqitjes së mjegullës prej 100 deri në 150 metra ka në Stracin dhe deri në 100 metra në malin Pletvar.

Të reshura të borës vërehen edhe në Kodrën e Diellit, por tani për tani nuk paraqet pengesë për zhvillimin e trafikut.

DPHM, duke iu referuar informacionit nga ELEM-i, sqaron se akumulimet kanë hapësirë të mjaftueshme për të pritur valën e ujit, që do të ndikojë pozitivisht në uljen e niveleve të ujit në vende të caktuara.

Sonte, të reshurat do të jenë më të shpeshta në perëndim, ndërsa gjatë natës në pjesët lindore të shtetit. Vende-vende në perëndim dhe në lindje pritet të bien edhe 60 litra të reja në metër katrorë