SHGM akuzon Presidencën për censurë, Presidenca: Jeni të keqinformuar!


Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thotë se këshilltarë nga kabineti i presidentit Gjorge Ivanov kanë thirrur afro 20 gazetarë në presidencë, dhe i kanë shtyrë që të nënshkruajnë gjoja certifikata sigurie. Sipas Naser Selmanit, gazetarët kanë denoncuar se janë thirrur në presidencë në grupe të izoluara nga njëri prej këshilltarëve të Ivanovit, gjoja për t’u njoftuar më tepër mbi punën e kabinetit presidencial, dhe në këmbim të informacioneve është dashur të nënshkruajnë çertifikatë të sigurisë me të cilën do të pengoheshin që të raportojnë për atë që është dëgjuar brenda mureve të kabinetit.

NASER SELMANI, KRYETAR I SHGM-SË

“Kemi informata se pjesa më e madhe e gazetarëve që janë ftuar në këtë brifing në kabinetin e presidentit Ivanov, kanë nënshkruar kërkesë për marrjen e çertifikatës së sigurisë duke mos patur mundësi që të informohen për të drejtat dhe obligimet e tyre, dhe pasojat që mund t’i lejë kjo në punën e tyre. Ne besojmë se ndarja e çertifikatave të tilla nga ana e këshilltarëve të sigurisë paraqet presion mbi gazetarët. Kjo pasi gazetarët nga mbrojtës të interesit publik, shndërrohen në nëpunës shtetëror. Veprimi i tillë i presidentit cenon lirinë e mediave sepse lidhja e gazetarëve me shërbimet e sigurisë, vetëm do të forcojë vetëcensurën në media”

Sipas SHGM-së, numri më i madh i gazetarëve të cilët kanë qenë të thirrur, kanë nënshkruar çertifikatën, pa patur mundësi as për konsultim me redaksinë, pasi në hyrje ua kishin marrë telefonat, ndërsa nuk kanë pasur mundësi që t’i lexojnë të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ajo çertifikatë. Me nënshkrimin e çertifikatës, siç shpjegoi Selmani, presidenca, në fakt këshilltari i Ivanovit, ua ka lidhur duart gazetarëve, sepse nëse publikojnë informata të caktuara që lidhen me çështjen e sigurisë, ato do të ballafaqohehsin me padi penale për publikimin e sekretit shtetëror. SHGM i bëri thirrje presidentit Gjorge Ivanov menjëherë t’iu jep urdhër këshilltarëve të tij të ndalojnë procesin e ndarjes së certifikatave të sigurisë për gazetarë.

NASER SELMANI, KRYETAR I SHGM-SË

“Nëse Ivanov dëshiron ta rrisë transparencën, këtë mund ta bëjë me kontakte më të shpeshta me gazetarët dhe me publikimin e informatave me karrakter publik në faqen e internetit. Edhe kolegëve ju bëjmë thirrje që të heqin dorë nga çertifikatat pasi kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të gazetarëve i cili na obligon që t’i respektojmë ligjet e vendit por edhe na obligon që të mos fshehim informata me karakter publik”

Nga presidenca kanë reaguar menjëherë, duke vlerësuar se Naser Selmani dhe SHGM nuk janë të informuar mirë. Pranuan të jenë zhvilluar takime me gazetarë, por thanë se kjo është bërë në mënyrë që edhe gazetarëve t’u mundësohet të ndjekin pjesët publike të Këshillit të Sigurisë, për çka doemos nevojitet çertifikatë sigurie.

KABINETI I PRESIDENTIT

“Këshilli Planifikon reforma urgjente prioritare të sigurisë në të cilat vlerësojmë se duhet të jenë të kyçur edhe persona të profesionalizuar – gazetarë. Sipas normave ligjore për punë me informata të klasifikuara, gazetarët duhet të kenë një çertifikatë sigurie nga Drejtoria për Informata të Klasifikuara. Shpresojmë që gazetarët të na japin sygjerime për mënyrën më të mirë të informimit të opinionit dhe rritjen e vetëdijes për kulturën e sigurisë dhe punën me informata të klasifikuara. Kjo shkaku i rrezikut të madh për gjenerim të lajmeve të rrejshme”

Por, nga kabineti i Ivanovi nuk qartësuan se përse nevojitet një çertifikatë sigurie nëse gazetarët do të ndjekin vetëm pjesët që janë publike, të cilat nuk paraqesin sekret shtetëror.  /SHENJA/