Sazdovski ka vdekur nga goditja e fortë në kokë


Me dëgjimin e ekspertëve nga mjekësia ligjore, e propozuar nga prokuroria për paraqitjen e plotë të dëshmive pas rindërtimit të ngjarjes, sot në Gjykatën Penale në Shkup vazhdoi gjykimi i Besir Belës dhe Skender Demirit, të akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit Nikolla Sazdovskit – Sazdo.

Eksperti tha se me rindërtimin e bërë dhe qasjen e fotografive, mbeten në të njëjtin qëndrim lidhur me mënyrat dhe arsyet e vdekjes së të ndjerit Sazdovski.

“Tani i ndjeri ka vdekur pas goditjes së fortë, e jo nga goditja në asfalt apo në kuti, duke pasur parasysh se në trup nuk janë konstatuar kurrfarë lëndime nga rënia në ndonjë sipërfaqe të fortë, që është thënë në ekspertizat e mëparshme dhe deklaratat para kësaj gjykate” theksoi eksperti.

Rastin e udhëheq gjykatësja Daniela Aleksovska – Stojanovska, dhe në fillim u bëri thirrje prokurorisë dhe mbrojtjes nëse kanë dëshmi plotësuese t’i propozojnë, duke pasur parasysh se lista e dëshmive të propozuara është detajuar pas inspektimit të dosjeve nga rindërtimi i ngjarjes.

Gjykata në fillim të seancës së sotshme e refuzoi propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e sërishëm të ekspertit, për shkak se në ekspertizë nuk është kërkuar ai person të ekspertojë sa i përket dhembjes dhe intensitetit të vuajtjes së të vdekurit, por në dëshminë e tij ai vetëm i referohet ekspertizës së përpiluar nga mjekësia ligjore.

Avokati Naser Raufi, më parë propozoi edhe njëherë të thirret një ekspert nga mjekësia ligjore, që tanimë është dëgjuar, sa i përket ekspertizës së tij për dhimbjen e shkaktuar dhe vuajtjen tanimë të vdekurit Sazdovski.

Prokuroria shprehu kundërshtim për këtë propozim, duke pasur parasysh se eksperti tanimë është dëgjuar dhe është prononcuar lidhur me dhimbjet dhe vuajtjen e viktimës.

Diskutimi i sotëm kryesor në mënyrë efektive filloi pothuajse një orë e gjysmë fillimisht nga termini i caktuar. Së pari për shkak të interesit të madh të publikut edhe seanca kishte vonesë 15 minuta që të vendosen të gjithë, që më pas Këshilli gjyqësor të tërhiqet për 15 minuta, që të vendosë pas kërkesës së mbrojtjes për thirrjen e sërishme të ekspertit. Në fund, kur duhej të kumtohej vendimi i gjykatës dhe të propozohet seanca, pritej njëri prej avokatëve të mbrojtjes të kthehet për shkak se kishte dalë në një gjykim tjetër, ku humbën 20 minuta.

Sipas aktakuzës, Bela dhe Demiri së bashku me J.L (19), i cili është në arrati, më 29 qershor vitin e kaluar e kanë rrahur barbarisht Sazdovskin në stacionin e autobusit para fabrikës “Alkaloid” në bulevardin “Aleksandi i Maqedonisë” në Autokomandë.

Nga lëndimet e pësuara, Sazdovski më 9 korrik të vitit 2018 ka vdekur në Klinikën e Anestezionit, Reanimacionit dhe Mjekimit intensiv – KARMI në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

Dy nga sulmuesit, Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim në burgun “Shkupi” në Shutkë, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili akoma nuk është në dispozicion për organet e zbatimit të ligjit, është urdhëruar fletarrestim vendas dhe ndërkombëtar.