Rikthehen tensionet në Kuvendin e Shqipërisë


Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se ka fakte të reja për shkelje ligjore, politike e penale për Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas Bashës, faktet kanë të bëjnë me ndryshim të Kodit të Procedurës Penale, kur ministri ishte në kreun e Komisionit të Reformës në Drejtësi.

“Dje deklaroi se në raport me çështjen e dënimit të vëllait nuk ka pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në asnjë lloj forme mbi të, ky është mashtrimi i dytë i tij për të mbrojtur veten e tij nga vepra penale e korrupsionit të zyrtarit të lartë, siç do provohet sot me dokumente zyrtare, Fatmir Xhafaj në detyrën e tij si kryetar i komisionit të reformës në drejtësi ka ndryshuar përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllain e tij, konkretisht nenin 491”, tha ai.
Sipas tij, Xhafa është peshku i madh, krimineli i pandëshkuar dhe të dy bashkë me të vëllanë “janë një prej kokave mafioze që kanë ndryshuar Vlorën në kryeqytetin e kokainës”.

Por ndërprerja e fjalës së Bashës, ka ngritur në këmbë deputetët e opozitës që janë mbledhur para foltores, teksa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se koha e tij mbaroi.

Ruçi mbylli seancën./ Top Channel