Rikonstruimi i kabinetit qeveritar, sonte takohen partnerët e koalicionit


Pas kthimit nga Kosova, kryeministri Zoran Zaev sonte në Shkup do të ketë takim me partnerët e koalicionit me të cilët do të diskutojë edhe për kompletimin e Qeverisë. Ai tha se në takim do të vendoset se çfarë do të bëhet. Më pas emrat do të hyjnë në procedurë parlamentarë për ndryshimet në Qeveri. Zaev u shpreh optimist se ky do të jetë takimi i fundit dhe së shpejti do të kompletohet kabineti qeveritar.

“Sonte pas kthimit nga Kosova do të kem takim me partnerët e koalicionit në Shkup. Shpresoj se do të jetë takimi i fundit që të mundemi t’i publikojmë emrat e kandidatëve të propozuar në Kuvend për vendet e zbrasta në Qeveri”, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev.

Vendet bosh në Qeveri mbetën pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, kur ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Taravari, u zgjodh kryetar në Komunën e Gostivarit, ministri për investime të huaja, Ramiz Merko në Strugë dhe zv/ministri i Arsimit, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Kriza u thellua pas paralajmërimeve të BDI-së se nuk do të votojë ministrin e ri të Shëndetësisë nëse propozohet nga Aleanca për Shqiptarët derisa Ziadin Sela nuk kërkon falje për akuzat e bëra ndaj Ali Ahmetit për ngjarjet e 27 prillit.

Më pas u tha se edhe LSDM ka shprehur ambicie për të marrë dikasterin e shëndetësisë. Jozyrtarisht mësohet se Aleanca pranon të jep këtë ministri vetëm me kusht që të marrë një ministri tjetër me peshë të njëjtë, ndërsa flitet edhe për njërin prej posteve të zv/kryeministrave. /TV Shenja