Reka i pari, Siljanovska e dyta, Pendarovski i treti në fletëvotim


Kandidati i opozitës shqiptare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Blerim Reka do të jetë i pari në fletëvotim, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gordana Siljanovska-Davitkova, ndërkaq i treti është kandidati i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski.

Në Komisionin shtetëror zgjedhor sot është hedhur shorti për renditjen e kandidatëve për president në fletëvotim. Numrat i tërhoqën përfaqësuesit e shtabeve zgjedhore, të cilët gjithashtu do të nënshkruajnë Kodin për sjellje korrekte në zgjedhjet e ardhshme me qëllim që të ketë garë korrekte mes të gjithë pjesëmarrësve.

Anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko u bëri thirrje kandidatëve t’i përmbahen nenit 68 të Kodit zgjedhor, në të cilin hollësisht është definuar se çka nënkuptohet me fushatë, së cilës ata duhet t’i për,bahen deri në fillimin e saj zyrtar, më 1 prill.

Theksoi se secili me shembull vetanak mund të kontribuojë për zgjedhje të suksesshme, por edhe për pasqyrë pozitive të procesit zgjedhor.

“Pasqyra e përgjithshme për procesin zgjedhor dhe për shtetin tonë varet nga ajo se si do të mbahen këto zgjedhje, prandaj u bëjmë thirrje të gjithëve, por para së gjithash kandidatëve për president në këtë periudhë para fillimit të fushatës por edhe gjatë fushatës, rreptësisht të përmbahen, të jenë përgjegjës dhe të sillen seriozisht ndaj të gjitha rregullave të përshkruara në Kodin zgjedhor, që kanë të bëjnë me fillimin e parakohshëm të fushatës”, tha Kondarko.

Bëri thirrje dhe kërkoi fushatë korrekte, të pastër dhe pozitive evropiane, sepse, siç tha, ajo është në interes të të gjithëve, para së gjithash kandidatëve, integritetit të tyre, në interes të partive politike, në interes të KSHZ-së, dhe në interes të mbarë shtetit.

“Nuk ka nevojë që për shkak të disa veprimeve dhe deklaratave të pamenduara ne si KSHZ të vihemi në rolin e gjykatësit dhe të vendosim rreth ankesave të caktuara”, nënvizoi Kondarko.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski përkujtoi se dje komisioni ka sjellë konkludim për konfirmimin e kandidatëve të cilët do të marrin pjesë në zgjedhje, pasi që ishte konfirmuar rregullshmëria e kandidaturave të tyre dhe theksoi se kjo do të thotë se ata edhe zyrtarisht janë në garë zgjedhore.

Darko Kaevski, përfaqësues i LSDM-së dhe koalicionit për kandidatin Stevo Pendarovski, pas konstatimit të renditjes së kandidatëve presidencial, deklaroi se fushata të cilën do ta zhvillojnë do të jetë evropiane dhe se prej sot e deri më 1 prill, kur është fillimi zyrtar, do të përmbahen nga fushata dhe nga shfaqjet publike dhe do t’i respektojnë të gjitha rregullat ligjore.

“Presim fushatë të drejtë, evropiane në frymën e vlerave evropiane dhe jam i bindur se një fushatë të tillë, ne si LSDM dhe 31 parti që e mbështetën kandidatin tonë partiak Stevo Pendarovski se bashkarisht do të zhvillojmë fushatë evropiane, që do të jetë në frymën e vlerave evropiane”, tha Kaevski, duke shtuar se fushatë të njejtë presin edhe nga kundërkandidatët.

Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE, përfaqësues i kandidates Gordana Siljanovska Davkova, tha se tashmë i kanë ndërprerë të gjitha aktivitetet që nuk guxojnë të emetohen dhe realizohen, si në terren, ashtu edhe në mënyrë mediale në rrjetet sociale.

Theksoi se pret fushatë të drejtë dhe demokratike nga ana e pushtetit, sepse sipas tij, në votimin në referendum nuk ka pasur fushatë të tillë.

“VMRO-DPMNE do të angazhohet maksimalisht për fushatë evropiane, të drejtë dhe demokratike dhe do t’i pasojë të gjitha normat dhe parimet që janë përshkruar nga ana e komisionit zgjedhor lidhur me zgjedhje të drejtë dhe demokratike”, tha Arsovski.

Ramadan Rexhepi, zëdhënës i kandidatit Blerim Reka, theksoi se për ta numri një paraqet se do të luftojnë për një republikë për të gjithë, dhe një shtet evropian multietnik.

“Ne shpresojmë për zgjedhje të drejta dhe para së gjithash të qeta, evropiane. Ne tashmë pamë në mediumet sociale se po bëhet një lloj fushate. Përmbahemi që fushatën ta fillojmë prej 1 prillit”, theksoi Rexhepi.

Të hënën do të hidhet shorti për renditjen e kandidatëve për kryetarë të komunave Ohër, Novo Sellë dhe Dibër.