Rasti “Sante Plus”: Shkarkohet nga puna anesteziologu, është i obliguar t’i kthejë shtetit 50.000 euro


Është dorëzuar vendimi për shkarkim të anesteziologut nga Klinika për Anesteziologji, Reanimim dhe Mjekim Intensiv (KARMI), i cili ka qenë në lindjen në spitalin “Sante Plus”, ku ka ndërruar jetë lehona nga Kërçova.

Drejtori i Ortopedisë, thotë se vendimi është në pajtueshmëri me ligjin, pasi që mjeku më shumë se tre javë nuk ka ardhur në punë, ndërkaq pa leje dhe marrëveshje ka qenë në spitalin privat. Nga Klinika thonë se mjeku obligohet që t’i kthejë 50.000 euro, pasi që një pjesë të studimeve për specializim ia ka paguar shteti.

“Të bazë të marrëveshjes së nënshkruar të të punësuarit dhe Ortopedia, dhe në bazë të ligjeve të cilat kanë qenë në fuqi gjatë kohës kur është nënshkruar marrëveshje, i punësuari duhet të kthejë vlerë të dhjetëfishuar nga mjetet që institucioni ia ka paguar për specializimin e tij”, deklaroi drejtori Ilir Hasani.

Anesteziologu ka pasur 1 vit përvojë pune, ndërkaq sipas marrëveshjes ka qenë i obliguar që 10 vjet të mos e lëshojë klinikën, pasi që ia ka financuar një pjesë të arsimimit të tij. Marrëveshjet e tanishme, specialistët i obligojnë madje 15 vjet të qëndrojnë në të njëjtin institucion. Mjeku ka të drejtë të ankesës, e cila, nëse refuzohet është i obliguar që t’i kthejë paratë për specializimin, transmeton Portalb.mk.

Për kolegun e tij nga KARMI i cili e ka ftuar për ndihmë në spitalin privat, rrjedh procedura disiplinore.

Përndryshe, në Shtëpinë Private Shëndetësore “Sveti Llazar” apo “Spitali im – Sante Plus” ndërroi jetë 31-vjeçarja nga Kërçova, Dëbora Xhambazi, gjatë lindjes me prerje cezariane të fëmijës së parë të saj. Besohet se shkak për vdekjen kanë qenë komplikimet që i kanë shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Edhe pse ka lindur në gjendje shëndetësore, foshnja tani është në gjendje stabile.