Qytetarët janë aktiv në lajmërimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit


Qytetarët i kryejnë me rregull obligimet e tyre kur bëhet fjalë për lajmërimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit, si dhe ndryshimin e adresës së banesës, shprehen nga Sektori i Punëve Administrative-Mbikëqyrëse në MPB, duke bërë të ditur se në vitin 2018 nuk është shqiptuar asnjë gjobë mbi këtë bazë.

Nëse personat fizik nuk i respektojnë dispozitat e Ligjit për lajmërimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve, parashikohen gjoba në shumë prej 100 deri 500 euro me kundërvlerë në denarë.

Sipas të dhënave të Sektorit për Punëve Administrative-Mbikëqyrëse, gjatë vitit të kaluar nëpër qytete janë evidentuar gjithsej 5.826 banorë të lajmëruar, prej të cilëve 1.718 janë vetëm në Shkup.

Në përputhje me Ligjin për lajmërimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve, vendbanim është vendi ku qytetari është akomoduar me qëllim që në të jetojë vazhdimisht dhe në të cilin ka siguruar banesë për jetesë.

Konsiderohet se qytetari ka siguruar banesë për jetesë, në kuptim të këtij ligji, nëse ai ose ndonjë anëtar i familjes ka banesë të banueshme në bazë të pronësisë ose marrëveshjes për marrje me qira në përputhje me ligjin.

Vendqëndrimi është vendi në të cilin qytetari qëndron përkohësisht, jashtë komunës në të cilën gjendet vendbanimi i tij.

Cila është procedura për lajmërimin e vendbanimit/vendqëndrimit?

Kërkesë për aprovimin e vendbanimit/vendqëndrimit merret falas në Ministrinë e Brendshme. Për këtë qëllim duhet të dorëzoni vërtetim se jeni të punësuar, vërtetim se fëmijët shkojnë në shkollë në vendin ku lajmëroni vendbanimin, se jeni pronar i ndonjë ndërmarrjeje në Republikë, me detyrë zyrtare sigurohet letërkëmbim nga Libri i Amzës i të Lindurve, banesë e siguruar për banim, dokument se banesa është në pronësinë tuaj ose, nga ana tjetër, marrëveshje për marrje me qira të banesës në përputhje me ligjin, të vërtetuar në noter.

Nëse, nga ana tjetër, jetoni në banesë që është në pronësi të prindërve ose fëmijëve tuaj, atëherë do të dorëzoni dokumentin e tyre të pronësisë, si dhe një deklaratë nga prindërit/fëmijët se do të jetoni me ta.

Institucioni kompetent për këtë procedurë është secila njësi rajonale e Ministrisë së Brendshme, sipas vendit ku e lajmëroni vendbanimin tuaj.

Nëse, nga ana tjetër, ndodhë që të shpërnguleni nga një vend në tjetër brenda shtetit, në afat prej tetë ditëve duhet të çlajmëroni vendbanimin paraprak dhe ta lajmëroni vendbanimin e ri, si për ju ashtu edhe për fëmijët tuaj të mitur.

Për sa kohë merret vërtetimi se je banor?

Afati ligjor për marrjen e vërtetimit se je banor, siç tregojnë nga Sektori për Punëve Administrative-Mbikëqyrëse në MPB, është 15 ditë nga dita e parashtrimit të kërkesës.

“Nëse kërkesa lajmërimin e vendbanimit zgjidhet pozitivisht, merret vendim për lajmërimin e vendbanimit, e nga vendbanimi paraprak merret vendim për ç’lajmërim me qëllim të kompletimit të procedurës dhe parashtrimit të kërkesës për dhënien e letërnjoftimit të ri me vendbanimin e ri”, shprehen nga ky sektor.

Lidhur me vendqëndrimin, nga ana tjetër, qytetarit i jepet vërtetim se përkohësisht qëndron jashtë komunës në të cilën gjendet vendbanimi i tij. Qytetari është i obliguar çdo gjashtë muaj qëndrim të pandërprerë në një vend të caktuar të përtërijë lajmërimin e vendqëndrimit.

Nëse keni ndërmend të qëndroni më gjatë se 30 ditë jashtë vendbanimit tuaj, jeni të obliguar të lajmëroni vetveten, si dhe t’i lajmëroni fëmijët tuaj të mitur në afat prej tre ditëve në stacionin kompetent policor në vendin ku qëndroni dhe të ç’lajmëroheni para se të largoheni prej atje.

Për lajmërimin dhe çlajmërimin e vendqëndrimit do të merrni vërtetim nga organi kompetent. Çdo gjashtë muaj duhet sërish të lajmëroni vendqëndrimin.

Nëse jeni të vendosur në hotel, në ndërmarrje turistike, në shtëpi studentore ose, nga ana tjetër, në internat, atëherë ata janë të obliguar që ta lajmërojnë dhe/ose çlajmërojnë vendqëndrimin tuaj. Ata janë gjithashtu të obliguar të mbajnë evidencë në librin e mysafirëve për të gjithë personat e lajmëruar.

Kur qytetarët nuk janë të obliguar të lajmërojnë vendqëndrimin e tyre?

Qytetarët nuk janë të obliguar të lajmërojnë vendqëndrimin e tyre nëse janë ushtarakë të cilët qëndrojnë në kazerma ose në institucione tjera ushtarake, punëtorë të Ministrisë së Brendshme në objekte për dedikim të posaçëm të Ministrisë, persona të dënuar që janë në vuajtje të dënimit me burg në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, persona të cilët gjenden për kurim në organizatë shëndetësore dhe persona që qëndrojnë në objekt ose në banesë për pushim dhe për përmirësim për dobinë e tyre personale.

Nëse keni ndërmend që përkohësisht të qëndroni jashtë vendit për një periudhë prej tre muajve deri një vit, ose të jeni në punë të përkohshme jashtë vendit më shumë se një vit, jeni të obliguar ta lajmëroni largimin jashtë vendit, me plotësimin e formularit (lajmërim i qytetarit për qëndrim jashtë vendit më gjatë se tre muaj), që mund ta merrni te organi kompetent i vendbanimit, në vendkalim kufitar ose në përfaqësi diplomatike-konsullore (ambasadë ose konsullatë) të Republikës në vendin në të cilin qëndroni.

Sipas Ligjit, keni për obligim të lajmëroni edhe kthimin tuaj në Republikë në afat prej tre ditëve nga kthimi në vendbanimin. Nëse me vete keni fëmijë të mitur, keni obligim të lajmëroni edhe largimin e tyre jashtë vendit dhe kthimin në vendbanim.

Çfarë nëse qëndroni jashtë vendit më gjatë se tre muaj?

Qytetarët që kanë ndërmend të qëndrojnë përkohësisht në botën e jashtme për periudhë prej tre muajve deri një vit ose të jenë me punë të përkohshme jashtë vendit më shumë se një vit, janë të obliguar ta lajmërojnë largimin jashtë vendit, me plotësimin e lajmërimit për qëndrim jashtë vendit më gjatë se tre muaj.

Lajmërimin mund ta merrni te organi kompetent i vendbanimit, në vendkalimin kufitar ose në përfaqësinë diplomatike-konsullore (ambasadë ose konsullatë) të Republikës në vendin në të cilin qëndroni.

Qytetarët kanë obligim të lajmërojnë edhe kthimin e tyre në afat prej tre ditëve nga ardhja në vendbanim. Nëse me vete kanë edhe fëmijë të mitur, kanë obligim që ta lajmërojnë edhe shkuarjen e tyre jashtë vendit dhe kthimin në vendbanim.

Nëse qytetarët nuk e lajmërojnë largimin jashtë vendit, organi kompetent me detyrë zyrtare do të bëjë evidentimin.

Nëse Ministria e Brendshme vërteton se lajmërimi juaj për lajmërimin e vendbanimit, gjegjësisht vendqëndrimit ose ndryshimit të adresës së banesës përmban të dhëna të pavërteta, do të marrë vendim për anulimin e lajmërimit dhe për shlyerje nga evidenca për vendbanim.