Qeveria, ende e varur nga numrat e Aleancës për Shqiptarët


Kryeministri Zoran Zaev nuk precizon nëse pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për largim nga Qeveria, kur do t’i shkarkojë zëvendësministrat dhe drejtorët e këtij subjekti. Pavarësisht rrethanave, Zaev pret që partia e Zijadin Selës t’i mbështes ligjet dhe proceset reformuese.

“Ish ministri i Shëndetësisë, aktualisht kryetar i Gostivarit as nuk ka njoftuar për ambiciet e tij dhe as nuk ka paralajmëruar por thjeshtë ka vendosur të kandidohet. Me mos votimin e ministrit ata paralajmëruan se do të largohen nga Qeveria. Mua më mbetet të jem optimist për bashkëpunimin e mëtejmë në reforma, ligjin për gjuhët, ratifikimin e marrëveshjes me Bullgarinë, ligjet për të cilët duhen 2/3 dhe përgjegjësinë për kualitetin e përgjithshëm të jetës në Maqedoni për të gjithë” – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, pas votimit të Venko Filipçes për ministër të Shëndetësisë njoftoi braktisjen e Qeverisë në momentin që do të votohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Duke akuzuar Qeverinë për shndërrimin e saj nga Qeveri reformatore në Qeveri, sipas tij “lavatriçe për pastrimin e aferave korruptive”, Sela shprehu gatishmërinë e subjektit tij për mbështetjen e proceseve euro-integruese, ligjeve dhe proceseve reformuese.

“Tani ose Arben Taravari ka qenë kuadër i LSDM-së atëherë ose ky Filipçe është kuadër i Aleancës, nëse i thirremi logjikës së gjërave, si funksionojnë gjërat marrëveshjet normale në shoqëri normale dhe shtete normale me politika normale. Unë e vendosa që do të rri në proces edhe pse ne do ta dalim prej Qeverie. Edhe pse do të jemi jashtë Qeverie ne do të jemi në proces. Ne do të përkrahim të gjitha ligjet, ne do të jemi aty për të përkrahur të gjitha reformat. Do të jemi aty për të stimuluar organet e drejtësisë që të merren dhe të hetojnë krimin” – tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Dje Kuvendi votoi ministrat e rinj të cilat u larguan për shkak të kandidaturave në zgjedhje lokale. Për ministër Shëndetësie u zgjodh Venko Filipçe, kuadër i LSDM-së edhe pse ky post në formimin e Qeverisë i takonte Aleancës për Shqiptarët. Në vend të Visar Ganiut, për zëvendësministër të Arsimit u zgjodh Arbër Ademi. Kuvendi me propozim të Kryeministrit zgjodhi edhe zëvendësministrin e Bujqësisë dhe zëvendëskryeministrin për emancipimin e romëve. Në mungesë të dy votave të Aleancës për Shqiptarët, shumica siguroi mbështetje nga deputetët Çedomir Sazdovski, Amdi Bajram dhe Vesel Memedi. / Alsat -M