Qeveria e RM-së: Paga e muajit maj më e lartë për 7,1 për qind nga viti i kaluar në muajin e njëjtë


Rritja e pagave, është dhe mbetet, prioritet i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë. Neto paga mesatare  në muajin maj u rrit për 7,1 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit  paraprak. Ajo tani arrin 24.509 denarë dhe është më e lartë për 1.600 denarë në nivel vjetor, thonë nga Qeveria prejse dje Enti Shtetëror për Statistikë i shpalli të dhënat për pagën mesatare dhe potencojnë se ajo është rezultat i masave që ndërmerren, përcjell Medial.mk.

Në kumtesën e sotme të pres shërbimit qeveritar potencohet se rritja e pagave sërish është e fuqishme në industrinë e prodhimtarisë së tekstilit, veshëmbathjes dhe lëkurës. “Në prodhimtarinë e tekstilit rritja e pagave është 2.670 denarë në nivel vjetor, në prodhimtarinë e veshëmbathjes  1.764 denarë,  ndërsa te prodhuesit e lëkurës në nivel vjetor paga është rritur për 1.802 denarë”, informojnë nga Qeveria.

Prej atje theksojnë edhe se në maj të vitit 2018 ka rritje të madhe edhe të pagave në veprimtaritë tjera siç janë financat dhe sigurimi dhe veprimtaria komunikuese dhe  informatike.

“Qeveria e RM-së mbetet e përkushtuar në rritjen e pagave. Vazhdojmë me realizimin e pakos së masave për këtë qëllim. Përveç rritjes së pagës minimale,  në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë tashmë janë sjellur ndryshimet ligjore të cilat do të sigurojnë përkrahje për rritje të pagave të cilat janë më të larta nga paga minimale”, thuhet në kumtesë. Në të shtohet edhe se vëmendje e veçantë përkushtohet edhe përmes masave aktive për punësim, dhe veçanërisht me përkrahje të investimeve të cilat sigurojnë pagë korrekte për të punësuarit.