Publikimi i sekretit shtetëror, deputeti Zekiri: do të ngritim padi penale ndaj Milloshoskit dhe Ivanovit


Deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Muhamed Zekiri ka njoftuar se ndaj deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski dhe kryetarit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov do të ngrit padi penale për shkak se njëri ka publikuar sekret shtetëror dhe tjetri ka dhënë raportin e takimit të liderëve. Se çfarë ka ndodhur në takimin e liderëve mund ta dinë vetëm personat që kanë certifikatë të sigurisë, dhe këtë Milloshoski nuk e ka që nga viti 2015, njofton Portalb.mk.

Siç thotë më tej Zekiri, Milloshoski informatat e takimit të liderëve i ka marrë nga kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe se deklarimi i tyre paraqet vepër penale.

“Opinioni duhet ta dijë se Milloshoski që nga viti 2015 nuk posedon certifikatë të sigurisë për sekret shtetëror, për shkak të së cilës nuk mund dhe guxon të ketë qasje deri të informacione të tilla. Për shkak të asaj se Milloshoski nuk ka të drejtë të kërkojë atë raport dhe se Kabineti i Presidentit nuk ka të drejtë t’ia japë të njëjtin, kundër Milloshoskit dhe Ivanovit do të ngritin padi penale për publikim të sekretit shtetëror, në bazë të Nenit 317 të Kodit Penal”, tha Zekiri në konferencën për media që e mbajti në Kuvendin e Maqedonisë.

Se publikimi i informatave nga takimi i liderëve është vepër penale, Milloshoskit i ka treguar edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Përndryshe, kjo erdhi pasi që në seancën e Komisionit për Punë dhe Politikë të Jashtme, ku kryetar është Antonio Milloshoski, ky i fundit ia ndalojë të raportojë ministrit për Punë dhe Politikë të Jashtme zhvillimin e diplomacisë maqedonase, duke kërkuar që të deklasifikojë dokumentet nga takimi i liderëve të janar – maj të 2018.

Kjo u refuzua nga Dimitrov, sepse është sekret shtetëror.