Protesta e opozitës/ Policia harton listën me emra deputetësh dhe qytetarësh që do të procedohen


Është gati lista me emrat e deputetë dhe qytetarë pas protestës që opozita zhvilloi të enjten.

Policia e Shtetit ka edhe dy ditë afat ligjor për të depozituar në organin e akuzës emrat e personave që do të procedohen penalisht për mosbindjen qytetare.

Deri të hënën në mesditë policia nuk ka referuar në organin e akuzës asnjë kërkesë për të ndjekur penalisht drejtues të opozitës apo qytetarë lidhur me bllokimin e akseve kryesore në vend për më shumë se dy orë, përkatësisht rrethrrotullimin e Vorës, Bradashesh, Çermë dhe Milot, raporton ABC news.

Shifra u konfirmua nga burime pranë Policisë së Shtetit, të cilët saktësuan se të proceduarit janë kryesisht organizatorët e protestave përkatëse.

Ata do të ndiqen penalisht për akuzën e “organizimit dhe pjesëmarrje në tubime dhe manifestime të paligjshme”.

Ndërsa për disa nga të proceduarit e protestës në Milot dhe Bradashesh, ku u dogjën edhe disa goma automjetesh, do të ketë edhe të proceduar për veprën penale të “ndotjes së mjedisit”.

Nga ana tjetër, këto procedime ende nuk i janë përcjellë zyrtarisht Prokurorisë së Tiranës. Burime pranë Prokurorisë së kryeqytetit konfirmuan  se deri mesditën e së hënës prodecimet ndaj kryeopozitarit Lulzim Basha, kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, deputetëve të tjerë, si edhe qytetarëve nuk ishin referuar në këtë institucion. Por referimi i tyre ka afat ligjor deri të mërkurën.

Mes deputetëve të procedura gjenden emrat e Flamur Nokës, Nora Malajt, Viktor Tushajt, Aldo Bumcit e Përparim Spahiu.