Çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, 2018 vit i kthesave historike për Maqedoninë


Problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, dhe pa zgjidhjen e emrit nuk mund të bëhet pjesë NATO-së dhe BE-së, sepse Greqia do ta bllokonte çdo proces të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, kështu vlerëson për Zhurnal, analisti politik Faik Krasniqi.

“Probleme në integrimet euro-atlantike të Maqedonisë do të mund t’i shkaktonin edhe dy anëtare tjera të NATO-së, Bullgaria dhe Shqipëria, për shkak të problemeve ndëretnike. Prandaj Zaev nuk ka alternativë tjetër pos të ulet dhe të negociojë për emrin, dhe t’i përmisojë marrëdhëniet ndëretnike, duke e zbatuar në përpikmëri Marrëveshjen e Ohrit. Ky do të duhej të ishte kushti i Shqipërisë për Maqedoninë, zbatimi në përpikmëri i Marrëveshjes së Ohrit. Në të kundërtën Shqipëria do të duhej ta përdorte veton e saj në NATO, për t’i mbrojtur shqiptarët e Maqedonisë, ashtu siç veprojnë të gjitha shtetet”, thotë për Zhurnal, Krasniqi.

Nga ana tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thekson se meqënse Maqedonia një kohë të gjatë është ballafaquar me probleme të shumta, probleme të trashëguara nga e kaluara, kjo qeveri është zotuar se do angazhohet me përkushtim sa i përket integrimeve euro-atlantike.

“Kryeministri Zaev për një kohe të shkurtër vizitoi gati të gjitha vendet fqinjë dhe zhvilloi biseda interesante për tejkalimin e problemeve me fqinjët si dhe kërkoi përkrahjen e tyre në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Mirëpo në plan të brenshëm përveç reformave në drejtësi që duket se sapo kanë filluar, diçka tjetër nuk vrehet. Kjo qeveri ka nevoj për stabilitet politik gjë që kryeministri Zaev ende nuk është duke e arritur. E kam fjalën për prishjen e raporteve mes partnerëve të koalicionit gjatë zgjedhjeve lokale”, thekson për ZHurnal, Zudi Xhelili, ish-deputet.

Sipas tij, dy partitë shqiptare dhe LSDM janë të detyrueshëm të bashkëpunojnë në realizimin e detyrimeve që morrën.

“Në këtë drejtim çdo mosmarrëveshje mes tyre pengon procesin e integrimeve euro-atlantike, duhet të reflektoi kryeministri dhe të tejkalohen interesat partiake në dobi të intresave të përgjithëshme sepae qytetarët janë të lidhur nga krizat politike. Pritëshmëria nga kjo qeveri që quhet reformatore është e madhe. Unë shpresoj se viti 2018 mund të jetë një vit i kthesave historike nëse qeveria arrin të konsolidohet si në fillim, pasi që qytetarët janë të lodhur nga krizat politike”, nënvizoi Xhelili.