Politikanët në pozitat më të larta kanë përgjegjësi më të madhe


Politikanët në pozitat më të larta kanë përgjegjësi më të madhe dhe duhet të tregojnë se janë për të ardhmen e këtij shteti dhe gjeneratave të ardhshme, vlerësojnë kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ata i bëjnë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që ta nënshkruajë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Greqinë dhe të mos e bllokojë procesin, pasi rruga e vetme për Maqeodninë është anëtarësimi i plotëfuqishëm në NATO.

“Nëse presidenti ynë Gjorge Ivanov sërish nuk e nënshkruan Marrëveshjen për emrin me Greqinë, atëherë do të ketë referendum, i cili do të mbahet në fund të shtatorit, respektivisht në fillim të tetorit”, deklaroi Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë bullgare BGNES në margjinat e Samitit të RP të Kinës me vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore, që dje u mbajt në Sofje.

Zaev thotë se politikanët do të duhet ta respektojnë votën e popullit dhe shpreson se presidenti Ivanov do ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Ai që duhet të votojë, do të votojë, e ai që duhet të nënshkrujë, do të nënshruajë, për këtë u shërbejmë qytetarëve”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Ivanov, sipas Zaevit, nuk mund ta bllokojë procesin. “Nëse nuk e nënshkruan tani, duhet ta bëjë atë pas referendumit”, shtoi ai.

Në pyetjen nëse do të ketë impiçment të presidentit, nëse ai nuk e nënshkruan Marrëveshjen, Zaev u përgjigj se të gjitha opcionet janë të mundura dhe sërish theksoi se rruga e vetme për Maqedoninë është anëtarësimi i plotëfuqishëm në NATO, ndërsa të njëjtën e mendojnë edhe shumica e qytetarëve të Maqedonisë.

Sipas ministrit Spasovski, kjo periudhë është shumë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë që të ec përpara dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së si partner dhe aleat.

“Pas shumë viteve ngecje në vend, qytetarët e kanë mundësinë historike që t’i ndihmojnë Maqedonisë, vetvetes dhe fëmijëve të tyre. Me këtë Republika e Maqedonisë do të ketë prosperitet ekonomik, do të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe do të ndajë vlera të njëjta me qytetarët e BE-së. Këto procese askush nuk duhet t’i pengojë që të realizohen interesat kombëtare – anëtarësimi në NATO dhe BE”, deklaroi Spasovski gjatë vizitës në Gostivar./koha