“Po” apo “Jo” për Maqedoninë e Ilindenit


Maqedonia e Ilindenit apo Ilindenase, emërtimi i ri që pritet të mbyllë kontestin disavjeçar me Greqinë, është shoqëruar me heshtje nga Shkupi zyrtar, por reagime të ndryshme nga brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse ende nuk dihet se nga ka ardhur ky propozim, pas takimit të kryeministrit Zoran Zaev dhe atij grek Ciprias, shqiptarë e maqedonas e perceptojnë në mënyra të ndryshme propozimin surprizë që erdhi nga Sofja, shkruan gazeta KOHA.

Për një pjesë të opinionit të Maqedonisë, ka pasur reagime pozitive, duke e cilësuar si një prej zgjidhjeve më të mira të mundshme që mund të arriheshin deri tani. Të tjerë janë të mendimit se simbolika e vetë ngjarjes është përjashtuese për të gjithë popujt që nuk janë maqedonas.

Shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë emër dhe të shfaqin pakënaqësinë, thotë analisti Alajdin Demiri. Pasi vetë emri si emër e shpërbën identitetin multietnik të vendit dhe me automatizëm i përjashton të gjithë kombet, të cilat jetojnë në Maqedoni, e posaçërisht shqiptarët, sqaron Demiri. Sipas tij, me këtë emër vetëm bullgarët dhe grekët zgjidhin problemet me Maqedoninë e Pirinit, Egjeut, Antike, duke mbetur vetëm Maqedonia sllave…