“Përkrahni vendimin për fillimin e negociatave”


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u ka dërguar letër Kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së ku u bën thirrje që të përkrahin vendimin për fillimin e bisedimeve inkuadruese të Maqedonisë me BE-në, me kornizë kohore të procesit, siç thuhet, si vendim i bazuar në merita dhe si vendim i cili qëmoti është i merituar.

Kryeministri Zaev në këtë letër i ka njoftuar Kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së për marrëveshjen e arritur me Republikën e Greqisë si dhe për hapat që duhet të ndërmerren që të sigurohet hyrja në fuqi e marrëveshjes. Ai ka njoftuar se në vjeshtë do të mbahet referendum për përkrahjen e marrëveshjes, pas çka do të pasojë edhe zbatimi i procedurës për ndryshime kushtetutese.

“Që të sigurohet realizimi i marrëveshjes dhe dobitë potenciale për të dy vendet, për rajonin e Evropës Juglindore dhe Evropës në tërësi, përkrahja politike e vendeve anëtare të BE-së ka një domethënie të madhe, për ta konfirmuar me masa konkrete vizionin strategjik për ardhmërinë evropiane të vendit tim dhe gjithë rajonit.”

Për këtë shkak, siç thuhet në letrën e Kryeministrit Zaev, kërkoj përkrahjen tuaj për vendimin e fillimit të negociatave inkuadruese me RM-në.

“Me një vendim të këtillë do t`i jepet mirënjohje proceseve të evidentuara reformuese dhe do ta lehtësojë thellimin e mëtejshëm të impulsit reformues. Përpos kësaj, një vendim i këtillë do të ketë kontribut vendimtar në krijimin e klimës së domosdoshme pozitive për përfundimin me sukses të hapave të Marrëveshjes së paraparë që të zbatohet kompromisi delikat i balancuar për zgjidhjen e kontetstit shumëvjeçar dhe kompleks”.

Në fund të kësaj letre Kryeministri Zaev thotë se me padurim pret vendimin për hapjen e negociatave me BE-në në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian. /Art Channel/