PDSH do të bëhet pjesë e Qeverisë


Pasi që ka marrë fund gjithçka me Aleancën për Shqiptarët për mbetjen e saj në Qeveri, së shpejti pritet që të bëhet pjesë e saj PDSH.

Lajmi bëhet i ditur për INA nga burime pranë BDI, të cilët nuk përjashtojnë një zhvillim të tillë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Edhe më parë ka qenë në tavolinë ky propozim dhe ne nuk kemi asgjë kundër. Formalizimi i kësaj mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm”, theksuan burime partiake.

Por në PDSH heshtje totale dhe nuk ka asnjë koment lidhur me participimin e tyre të mundshëm në Qeveri. Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi në takimet e fundit me diplomatë ka theksuar se partia e tyre është e angazhuar për të përkrahur fuqishëm proceset eurointegruese dhe reformat. Ky është sinjal se PDSH mund të jetë pjesë e maxhorancës.

Në rast të pjesëmarrjes së tyre, dy poste ministrore janë të lira: zv/kryeministër për reforma dhe ministër për investime, por edhe zv/ministrat që i takojnë deri tani Aleancës për Shqiptarët si dhe një numër i madh i drejtorive, që gjatë negociatave të para formimin e Qeverisë raporti i ndarjes mes BDI dhe ASH ishte 65% me 35%.