Parandalohet sulm terrorist nga ISIS-i në Maqedoninë e Veriut


Policia ndërmori masa operativo-teknike dhe bastisje në disa lokacione lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e shtetit tonë nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetës të SHI-së.

“Ministria e Punëve të Brendshme, pas njohurive operative të këmbyera paraprakisht me një vend partner, lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetëse të SHI-së, zbatoi masa operativo-teknike me qëllim të identifikimit të organizuesve të mundshëm dhe kryesve potencial të sulmit. Me qëllim të pengimit të sulmit terrorist dhe realizimit të funksionit preventiv, Ministria e Punëve të Brendshme përpunoi plan të masave dhe aktiviteteve, për çka siguroi urdhëra adekuate për zbatimin e tyre”, informojnë nga MPB.

Pas urdhërave të marrë në disa lokacione në territorin e shtetit janë kryer bastisje me ç’rast janë marrë mjete dhe pajisje të cilat janë të lidhura me sulmin e mundshëm.

Nga Ministria informojnë se vazhdojnë të kryejnë veprime, masa dhe aktivitete me të cilat punohet në sigurimin e qytetarëve.