Paraburgimi i deputetëve, skadon afati për ankesat


Avokatët mbrojtës të deputetëve të VMRO-DPMNE-së ndaj të cilëve Gjykata Penale ditë më parë caktoi masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak si të dyshuar për zhvillimet e 27 prillit, akoma nuk kanë ankimuar masat e gjykatës ndërkohë afati kohorë prej 24 orëve po rrjedh. Burime brenda Gjykatës Penale shpjegojnë se deri më tani zyrtarisht nuk ka arritur asnjë kërkesë për apelimin e vendimeve. Avokati mbrojtës i deputetit Kërsto Mukoski, i cili mbrëmë kaloi natën e parë në burgun hetues të Shutkës vlerëson se masa e caktuar ndaj Mukoskit nuk përmban bazë juridike dhe se i njëjti nuk mund të ndikojë ndaj hetimit.

“Është i palogjikshëm shpjegimi i organit të akuzës për paraburgimit nën pretekstin se gjoja mund të ndikojë ndaj hetimit dhe se mund të përsërisë veprën. Si fakt për mundësinë e përsëritjes së veprës Prokuroria e morri situatën aktuale dhe protestat e përditshme. Kjo për ne nuk ka asnjë bazë dhe arsye për pasoja të tilla. Nuk mund të ndikojë nga shtëpia dhe as duke qenë në liri”- deklaroi Igor Kiçec, avokati mbrojtës i Kërsto Mukoskit.

Nga ana tjetër kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, vendimet e djeshme gjyqësore i quan elemente regjimi. Sipas tij, organet juridike dhe Qeveria e cila siç shprehet ai kontrollon të njëjtit dhe duhet të ndalojë me revanshizmin ndaj VMRO-DPMNE-së.

“Ajo që ndodhi dje është një precedent i pashoq, është tmerr, është regjim dhe është diçka që nuk ndodhë në shtetet demokratike dhe rrënon demokracinë. Dua është njëherë të apeloj deri tek Prokuroria, Gjykata dhe Qeveria e cila ka kapur gjithçka në duar të mos bëjnë gjëra të tilla. Momentalisht 5% e deputetëve të Kuvendit janë në burg, ndërsa 12% e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Kjo ndodh vetëm në vendet ku demokracia është varrosur thellë”- deklaroi kryetar i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Ndërkohë policia po punon në gjetjet edhe të 5 personave të cilët që nga 28 nëntori janë të pakapshëm për organet, e që me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të sillen para gjykatësit të procedurës paraprake. Aleksander Vasilevski- Ninxha, Nikolla Mitrovski- Kolo, Dejan Davidovski- Desho, Mitre Pitropovski dhe Mlladen Dodevski janë personat për të cilët policia nuk ka informacion se ku gjinden. Ditëm më parë, Gjykata Penale caktoi paraburgim 30 ditorë për deputetët Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski dhe Ljuben Arnaudov, ndërsa për Zhaklina Peshevskan, Johan Tarçullovskin dhe Lupço Dimovskin u shqiptua arrest shtëpiak. Për këtë të fundit Prokuroria ka kërkuar paraburgim, por gjykata nuk e ka miratuar. Javën që lamë pas, Gjykata Penale i caktoi masën e paraburgimit ish drejtorit të BSP-së Mitko Çavkov, udhëheqësve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, agjentëve të DSK-së si dhe personave tjerë si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” lidhur me zhvillimet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Alsat