Papadimulis: Mundësi historike për zgjidhjen e kontestit për emrin


Zëvendëskryetari i Parlamentit evropian dhe shef i eurogrupit të SYRIZA-s, Dhimitris Papadimulis, konsideron se ka mundësi historike për zgjidhje të kontestit për emrin e Maqedonisë, informon Njuz.in.

Në shkrimin për rrjetin informativ francez “Mediart”, politikani grek thekson se “qeveria e kryeministrit Aleksis Cipras dhe kabineti i ri i Zoran Zaevit në Shkup shkojnë përpara me hapa vendimtar drejt zgjidhjes përfundimtare të kontestit për emrin e Maqedonisë, pas 25 vite qasje të gabuara dhe zvarritjeve nga qeveritë e kaluara të të dyja vendeve”.

Dhimitris Papadimulis e potencon çështjen për stabilizim të Ballkanit dhe posaçërisht të Ballkanit Perëndimor, të cilat sipas tij “me dekada me radhë pësuan nga synimet irredentiste të qeverive populiste dhe nacionalizmave, të cilat vetë dialogun e bëjnë më të vështirë, si dhe nga frika e shpërbërjes së nacionalizmit shqiptar”.

“Interesi nacional grek urdhëron që t’i zgjidhim të gjitha çështjet dhe frontet e hapura dhe me bashkëveprim të partnerëve evropianë të hartojmë një të ardhme të re për rajonin, larg frymës, irracionalitetit dhe qorrsokakut nga e kaluara”, shkruan Papadimulis në tekstin në rrjetin “Mediart”.
Në deklaratë, ndërkaq, për radion greke Real fm, Papdimulis, lidhur me vendimin e qeverisë së Maqedonisë për ndryshimin e emrave të aeroportit dhe autostradës, thekson se atë që e bëri Zaev është me rëndësi, pozitive, e guximshme dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Shton se përpjekjet e Zaevit dhe të Ciprasit janë mbështetur edhe nga Partia popullore evropiane, së cilës i takon edhe Demokracia e Re dhe nga Grupi socialist evropian, në kuadër të të cilit janë edhe partitë greke PASOK dhe Reka.

Siç lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina, Papadimulis konsideron se zgjidhja mund të vijë me nënshkrimin e marrëveshjes obliguese ndërkombëtare.
“Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga KB-ja, nga Bashkimi Evropian, obliguese për të dyja palët, që do t’i përmbajë edhe hapat e ardhshëm, sipas juristëve ka fuqi mbikushtetuese, i obligon palët t’i miratojnë hapat që nevojiten dhe nëse nuk e bëjnë atë, do t’u nënshtrohen sanksioneve, ndërsa pala tjetër do të mund të ndërmarrë kundërmasa. Mendoj se nëse ekziston vullnet politik që të braktisen irredentizmat, kjo mund të kyçet në mënyrë të qartë në formimin e marrëveshjes”, sqaron Papdimulis për Real fm.