Osmani: Sundimi i së drejtës, bazë për shoqëri demokratike


Sot në mjediset e Sekretariatit për Çështje Evropiane, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës Maqedonisë, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, takoi ekspertët nga misioni TAIEX-it (Instrument për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim të Informacionit i Komisionit Evropian) për vlerësimin e efikasitetit të sistemit të së drejtës administrative në Republikën e Maqedonisë. Gjatë takimit që shënon edhe fillimin zyrtar të punës së këtij misioni morën pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

“Sundimi i së drejtës është bazë për një shoqëri demokratike dhe bashkëkohore, dhe njëherësh është arritja më e madhe e këtij procesi edhe për qytetarët”, theksoi gjatë takimit zv/kryeministri Osmani duke nënvizuar se me rëndësi të veçantë për përparimin e Republikës së Maqedonisë është përmirësimi i sistemit gjyqësor në pjesën e konteksteve administrative në nivel qendror dhe lokal.

Duke marrë parasysh nevojën e një sistemi që funksionin mirë të së drejtës administrative për një gjyqësor të fuqishëm efikas, ky mision ofron një mundësi te jashtëzakonshme për vlerësimin e sistemit të vendosjes administrative në vend.

Vlerësimet e këtij misioni do të zgjasin 4 ditë pune dhe me pas do të pasoj përgatitja e raportit final me rekomandime që do të jenë pjesë e proceseve reformuese.