Osmani: Sot është Dita D për Maqedoninë


Maqedonia të premten pritet që të votojë në lidhje me ndryshim kushtetuese një vendim i rëndësishëm për çështjen e marrëveshjes me Greqinë për emrin, pas dështimit të referendumit me qytetarët.

Për të kaluar ky vendim duhet që patjetër të plotësohet numri i 80 deputetëve. I ftuar në Real Story, në Vizion Plus, zv-kryeministri dhe ministri për Çështjet Evropiane në Maqedoni Bujar Osmani, ka theksuar faktin se e premtja është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë.

Ai theksoi se akoma nuk ka një rezultat në lidhje me plotësimin e numrit të duhur për votimin e nesërm.

“Nesër është një ditë e rëndësishme për proceset kushtetuese. Elita politike po punon për të siguruar numrin prej 80 deputeteve që duhen në këtë proces. Do të ketë gjatë gjithë natës dhe nesër paradite bisedime për të krijuar numrin dhe për të marrë rezultatin e pritur kushtetues. E rëndësishme është që të mbyllet çdo gjë me votimin e së premtes, pasi zgjedhjet do na vonojnë, pasi afati i vendosur nga fqinji grek është deri në Mars, pasi më pas ato shkojnë në zgjedhje dhe kjo mund të ndikojë ne ecurinë e marrëveshjes.”

Gjithashtu zv-kryeministri Osmani deklaroi se narrativi NATO dhe narrativi BE janë të vetmet narrativa të së ardhmes së Maqedonisë. Në të kundërt, pasojat mund të jenë të mëdha./Gazeta e Pavarur