Osmani: Shndërrimi i Sekretariatit të MO-së në Ministri është arritje serioze dhe është vendim i partisë


Shndërrimi i Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit në Ministri është e arritur e madhe  dhe vendim i partisë, vlerëson zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Sipas tij kjo  kjo e arritur është e barabartë me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Ligjin e Gjuhëve. Osmani thotë se kjo është bërë pjesë e programit zgjedhor të BDI-së dhe pjesë e programit Qeveritar.

“Tani kemi një avancim serioz dhe ka qenë përpjekje e kamotshme dhe nëse ka ndonjë të arritur serioze në këtë Qeveri përpos, ligjit të gjuhëve, NATO-s dhe BE-së, është fakti që sekretariati për MO-në nga një shërbim, tekniko-administrativ, po shndërrohet në një organ ekzekutiv me të drejtë për të propozuar ligjet dhe të pasur organet Brenda dhe për të koordinuar implementimin e mëtutjeshëm të MO-së. Ky vendim është pjesë e analizës e cila është bërë pastaj pjesë e programit zgjedhor të  BDI-së 2020 programi është miratuar në kryesi dhe këshill të përgjithshëm i cili ka marrë verdiktin e qytetarëve pasi që kemi fituar numrin më të madh të votave shqiptare dhe pastaj është bërë edhe pjesë e programit të Qeverisë”, tha Osmani.

Dje zëvendëskryeministri Hazbi Lika tha se nuk është i njoftuar për këtë iniciativë. Ai ka theksuar se kundërshton shkrirjen e dikasterit që drejton në Ministri për sistem politik, pasi që siç tha Marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar në tërësi.

“Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendës Kryeministrit të angazhuar për Implemntimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistemin Politik, nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativën dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit’’, shkruan, Lika.

Zëvendëskryeministri Lika gjithashtu tha se në takimin e fundit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti ka kërkuar të hapet debat për shndërrimin e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për sistem politik.