Osmani: Nuk është shkelur procedura për Ligjin për gjuhët


Gjatë miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në asnjë pjesë nuk është shkelur procedura. Konform Kushtetutës, amendamente nuk mund të parashtrohen për ligjin njëherë të votuar, ai mund të ndryshohet vetëm me propozim-ligj për ndryshime. Konform Kushtetutës, presidenti i RM-së Gjorge Ivanov është i obliguar ta nënshkruajë, konsideron zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

“Maqedonia përfundoi një kapitull shumë të rëndësishëm të historisë së saj dhe sot më shumë se kurdoherë është unifikuar, unanimisht dhe të përbashkët në sfidat e veta për hapërim drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Osmani.

Lidhur me pohimet se Ligji në lexim të tretë është miratuar jashtë nga afati i paraparë prej 30 ditëve pasi presidenti i Maqedonisë nuk e nënshkroi dekretin, Osmani konsideron se nuk mbajnë sepse ky ka qenë afati ku ligji duhej të vendoset në rend dite, e jo i votuar.

“Ligjet e miratuara mund të ndryshohen vetëm me propozim-ligje. Nëse dikush dëshiron ta ndryshojë këtë ligj, atëherë duhet të parashtrojë propozim për ndryshime”, theksoi Osmani i cili sot mori pjesë në konferencën në Kuvend kushtuar reformave në gjyqësi.

Sipas tij, nuk ka pasur kurrfarë baze për propozim të amendamenteve dhe se këtë e ka konstatuar kryetari i Kuvendit i Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi.

Osmani potencoi se edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë Ivanov pas miratimit të djeshëm të Ligjit në lexim të tretë konform nenit 75 të Kushtetutës është i obliguar ta nënshkruajë.