Osmani: Nëse nuk antarësohemi në BE dhe NATO, rinia e arsimuar do ta braktis Maqedoninë


Zëvëndëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në fjalimin e tij para ambasadorëve të BE-së në Maqedoni, përfshirë atë amerikan, tha se kjo datë ka një rëndësi edhe për Maqedoninë, sepse siç tha, banorët e këtij vendi ndjejnë se janë pjesë e Evropës.
Megjithatë tha ai, për të qenë pjesë e mozaikut të BE-së, Maqedonia duhet të përmbush përkushtimin se do të përqafojë vlerat evropiane, për çka flet disponimi i mbi 80 për qind e qytetarëve të cilët janë shprehur pro anëtarësimit në BE dhe në NATO.

Osmani vuri në dukje reformat e zbatuara, marrëveshjen me Bullgarinë dhe një të tillë që pritet së shprejti me Greqinë për të zgjidhur çështjen e emrit, që bëjnë këtë vit të veçantë për Maqedoninë, ndërkohë u bëri thirrje ambasadorëve të BE-së, që gjatë vendosjes për fatin e Maqedonisë, të kenë në konsideratë se Maqedonia është i vetmi shtet pa konteste të kufijve me fqinjët dhe se është një shoqëri funksionale multi-etnike dhe multi-konfesionale.

“Nëse nuk çelim negociatat, rreziqet janë të ndryshëm, meqë humbja e shpresës për antarësim në NATO dhe BE, do të nxisë të rinjtë e arsimuar të braktisin vendin, që do të ulë fuqinë punëtore të nevojshme për zhvillim dhe rritje, duke rritur njëkohësisht euro-skepticizmin dhe ndjenjat anti-NATO. Kjo do të rezultojë me thellimin e ndarjes në bazë etnike dhe fetare që do të cenojë institucionet demokratike dhe kapacitetet e tyre për të qeverisur si dhe do të krijojë terren pjellor për ndërhyrjen dhe rritjen e ndikimit të palëve të treta”, porositi Osmani.