Osmani: Marrëveshja e Ohrit të saktësohet në Preambullën e Kushtetutës


Marrëveshja e Ohrit është zgjidhje për Maqedoninë multietnike dhe duhet të saktësohet në Preambulë, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në pjesëmarrjen e djeshme në televizionin Telma.

“Në Marrëveshjen e Prespës është paraparë saktësimi i KAÇKM-së me definimin e Manifestit si dokument kryesor. Ne vlerësojmë se gjatë definimit të dokumenteve konstituive të shtetit është logjike ndjekja e hapave, që nuk është kërkesë vetëm e shqiptarëve por edhe e të gjitha partive politike në shtet, pasi Marrëveshja e Ohrit është futur në Kushtetutë me amendamente, vetëm se nuk është përmendur si dokument. Është logjike që të ketë një tërësi të elementeve konstituive të shtetit kronologjikisht të jenë Republika e Krushevës, Manifesti i KAÇKM-së, 8 Shtatori dhe Marrëveshja e Ohrit”, tha Osmani.

Ai shtoi se të gjithë që i ka kontaktuar, deputetë, elitë politike, ekspertë, askush nuk ka thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk është inkluzive.

Osmani tha se projektet nuk janë definuar dhe se priten deri në fund të javës, gjegjësisht deri të premten të definohen.

Në pyetjen lidhur me idenë për pajtim, Osmani thotë se edhe si anëtar i BDI-së edhe si zëvendëskryeministër e mbështet idenë e kryeministrit Zoran Zaev për domosdoshmërinë e pajtimit.

“E mbështesim idenë e pajtimit, por ajo që do ta promovojë parimin e jondëshkueshmërisë në këtë shtet është e papranueshme. Nuk pajtohemi me propozimin e VMRO-DPMNE-së për amnisti, por mbështesim formimin e trupit koordinues kombëtar për pajtim në Kuvend”, thotë Osmani.

Në kontekst të kësaj shton se trupin koordinues duhet ta udhëheqin deputetët dhe jo kryetari i Kuvendit, pasi, siç shton, i jep një karakter tjetër këtij trupi.

“Qëndrimi ynë është se autorët e drejtpërdrejtë të dhunës së 27 prillit dhe porositësit e dhunës nuk guxojnë të jenë lëndë e çfarëdo falje. Nëse ka pasur njerëz të cilët janë dëm kolateral, të cilët janë gjetur atje dhe nuk kanë pasur për qëllim të bëjnë dëm, por kanë qenë atje, atëherë duhet të jenë pjesë e shqyrtimit të trupit koordinues”, thotë Osmani.

Zëvendëskryeministri me këtë rast theksoi se nuk ka interes më të madh shqiptar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Në korpusin e çështjeve shqiptare, siç tha, në vend të parë është NATO, ky është interes kombëtar i shqiptarëve. “Prandaj ne si parti e cila i prezentojmë shqiptarët nuk e shohim këtë si anulim të disa çështjeve shqiptare. Nënkuptohet se propozimet e tilla prej partive shqiptare janë që të merren pikë politike”, thotë ai.

Osmani shtoi se nuk do të kemi shans të dytë as për Marrëveshjen e Prespës e as për NATO-n, ndërsa ndoshta për në Bashkimin Evropian në 100 vitet e ardhshme./Gazeta e Pavarur