Opel Omega e “Monstrës” s’ka qenë asnjëherë e regjistruar, ka pasur targa të Mercedesit


Eksperti i MPBsë për njohjen e makinave Goce Markov, pohon se makina Opel Omega që dyshohet të jetë makina e arratisjes pas vrasjes në Smilkovë, ska qenë asnjëherë e regjistruar në Maqedoni, por nuk ka të dhëna se prej cilit shtet vjen, dhe cili ka qenë pronari i fundit i kësaj makinë. Ai i tha gjykatës se me një kërkesë deri tek Interpoli, mund ta gjejnë pronarin.

Për të qenë situata edhe më e komplikuar, eksperti kishte vërejtur se targat e Opelit nuk i ishin përshtatur maskës plastike të makinës, dhe kur kishte kontrolluar në bazën e targave të Maqedonisë, kishte gjetur se këto targa kishin qenë të një Mercedesi të tipit 123. Ai tha se e ka të njohur edhe emrin e pronarit por nuk është i autorizuar ta thotë. Prandaj kërkoi nga gjykata që të bëjë kërkesë tek Drejtoria për Punë Administrative, e cila mund t’ia tregojë të dhënat e sakta për pronarin e Mercedesit, targat e të cilave i ka shfrytëzuar Opeli.

Eksperti shpjegoi se kjo ka ndodhur pasi kur makina është sjellë nga jashtë, i është paguar dogana, por nuk është regjistruar kurrë.

Markov ka bërë analizë edhe të makinave të tjera private të të akuzuarve, Pezho 306,Mazda 626 dhe një Golf dhe tregon se këto makina ende gjenden në parkingjet e MPB-së. Por, shpjegon se targat e këtyre makinave ishin origjinale. /SHENJA/