OKB: Përparimi është i mundur në kontestin Greqi-Maqedoni

Kombet e Bashkuara thanë se mund të bëhet përparim në zgjidhjen e kontestit 26-vjeçar midis Athinës dhe Shkupit në lidhje me emrin e Maqedonisë.

Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se “ka pasur një moment pozitiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja” dhe se “zgjidhja mund të gjendet me frymën e duhur të kompromisit nga lidershipi dhe popujt e të dyja vendeve”.

Metju Nimic, ndërmjetësuesi i OKB-së për kontestin, nga sot do të qëndrojë në Greqi dhe Maqedoni për bisedime me palët. Nimic nuk i ka komentuar ende idetë që u ka paraqitur atyre.

Greqia refuzon ta njohë Maqedoninë me këtë emër, duke thënë se një gjë e tillë sugjeron se Shkupi ka pretendime territoriale ndaj një rajoni verior të Greqisë, i cili po ashtu quhet Maqedoni.

Kontesti daton qysh në vitin 1991 kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë dhe ai i ka komplikuar përpjekjet e këtij vendi për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.