Një grup i VMRO – DPMNE-së kërkon të shtyhet data e Kongresit partiak


Ilija Dimovski, Antonio Milloshoski, Trajko Veljanovski dhe disa figura tjera të rëndësishëm në VMRO-DPMNE kanë dalë me letër të hapur publike duke kërkuar shtyrjen e Kongresit të VMRO-DPMNE-së, për shkak siç thonë ata, favorizimit të njërit nga kandidatëve dhe mundësive jo fer për garë, raporton Televizioni SHENJA.

Sipas tyre, informatat nga terreni flasin se njëri nga kandidatët po përkrahet dhe ndihmohet nga e gjithë struktura partiake në tërë Maqedoninë.

KJO ËSHTË PËRMBAJTJA E LETRËS

Po shfrytëzohen të gjitha resurset për një kandidat. Po bëhet presion mbi një pjese të delegatëve që të nënshkruhen për kandidaturën e një kandidati. Po shfrytëzohen kërcënime për përjashtim nga partia dhe organet e partisë të personave që do të refuzojnë përkrahje të njërit kandidat. Ata thonë se në kushtet të tilla Kongresi i VMRO-DPMNE-së i caktuar për më 22 dhe 23 dhjetor nuk garanton proces transparent dhe legjitim për përzgjedhje të Kryetarit të partisë. Ata kanë kërkuar anulimin e Kongresit për në muajin shkurt të vitit 2018.