Nimic: Bisedojmë për emrin, jo për identitetin maqedonas, jemi disa muaj larg zgjidhjes


Negociatori për çështjen e emrit, Methju Nimic pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dmitrov sot në Shkup tha se është optimist se mund të gjendet zgjidhje për kontestin e cila nuk do të rrezikonte identitetin e maqedonasve madje dhe do ta mbronte atë. Ai u shpreh se populli maqedonas nuk duhet të brengoset për “humbjen” e gjuhës dhe identitetin e tyre nëse arrihet marrëveshje me Greqinë, njofton Portalb.mk.

“Ne po negociojmë për emrin e shtetit dhe jo për gjuhën dhe identitetin e maqedonasve. Tash është koha për zgjidhje, tash është momenti. E di që nuk është lehtë por më tutje do të bëhet më vështirë andaj këto muajt që vijnë janë kyçe. Nuk dua të spekuloj për atë çfarë mund të ndodh nëse këto negociata për çështjen e emrit dështojnë, vetëm dua të them që kemi arritur deri në atë pikë saqë zgjidhja e kësaj çështjeje duket afër. Nga ana e palës greke nuk kam dëgjuar ose nuk kam vërejtur sinjal me të cilin do të kontestonin identitetin ose ekzistimin e idetitetit maqedonas, prandaj unë jam shumë optimist se zgjidhja është afër. Mendoj se populli këtu nuk duhet të preokupohet se vallë qeveria merret me identietin ose jo. Kur flasim për korrnizën kohore, flasim për javë dhe muaj sepse kemi arritur deri në pikë ku vendimi duhet të bëhet. Kemi dy qeveri me diplomat kompetent dhe lider të vendosur dhe mendoj se duhet të ecim shpejt para. Mendoj se muajve në vijim do të shohim nëse kemi lëvizje ose jo.” tha Nimic.