Nikos Koxias, patjetër kompromis për zgjidhjen e emrit


Duhet të gjendet kompromis për çështjen e emrit që të hapet rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe organizatave tjera në të cilat dëshiron të përfshihet, thotë ministri grek i Punëve të Jashtme Nikos Koxias në një intervistë për gazetën “Etnos”.

“Në rastin me IRJM-në, fqinjët tanë besuan se mund të vazhdojnë me përfshirjen drejt këtyre organizatave pa marrëveshje me ne, diçka që është e pamundur, ndërsa disa prej nesh, megjithatë, besuan se inercia në politikën e jashtme është arma jonë”, thekson Koxias.

Sipas tij Athina edhe Shkupi tani kanë kuptuar se duhet të punojnë në bazë të konsensusit dhe kompromisit.

“Të gjithëve bashkëbiseduesve tanë tani u është e qartë se duhet të gjendet kompromis i ndershëm për çështjen për emrin me fqinjin tonë verior. E vërtetë është, gjithashtu, se disa nga BE-ja në të kaluarën kanë krijuar iluzione se rruga drejt anëtarësimit në Union dhe në disa organizata tjera mund të hapet pa kompromis”, deklaroi Koxias, i pyetur nëse tani është momenti për zgjidhjen e kontestit për emrin me Shkupin.

Bisedimet për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të KB-së Methju Nimic, do të vazhdojnë në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.