Nga dhjetori paga minimale 14.500 denarë


Nga muaji dhjetor rroga minimale në shtet do të jetë 14.500 denarë. Kjo nënkupton rritje për dy mijë denarë për dallim nga rroga aktuale minimale që është 12.500 denarë. Rritja e rrogës minimale do të vlejë jo vetëm për sektorin privat, por edhe për atë publik.

Këtë lajm sot e paralajmëroi ekipi ekonomik i qeverisë, i kryesuar nga kryeministri Zaev, pas takimeve me odat, punëdhënësit dhe sindikatat, duke theksuar se vendimi është arritur përmes dialogut social me të gjitha partnerët social.

“Në vitin 2017 e rritëm rrogën minimale për 3.500 denarë dhe deri tani ajo ishte 12.507 denarë. Tash e rrisim për dy mijë denarë shtesë dhe e njëjta historikisht do të jetë 14.500 denarë. Me ligjin i cili u miratua në vitin 2017 për herë të parë barazohet paga minimale edhe për punëtorët në industrinë e tekstilit dhe lëkurës me degat tjera. Me barazimin e rrogës minimale për të gjitha kategoritë e punëtorëve ne e korrigjuam një padrejtësi të madhe sociale e cila ekziston në shoqërinë tonë”, deklaroi kryeministri Zaev.

Ai theksoi se rritja e pagës minimale do të shkaktoj edhe rritje spirale të rrogave tjera në shtet dhe u shpreh optimist se deri në fund të mandatit do ta përmbushin premtimin e dhënë që rroga minimale të jetë 16 mijë denarë, gjegjësisht rroga mesatare në shtet të jetë 30 mijë denarë.

Rritja e rrogës minimale, sipas punëdhënësve, nuk e përjashton mundësin që kompanitë e vogla të tekstilit mos t’i bëjnë ballë presioni dhe në këtë mënyrë të mbyllen.

“Presion më të madh nga rritja e pagës minimale do të ketë veprimtaritë intensive të punës. Mendoj se tregu do të ketë sukses t’i pranojë punëtorët nga mbyllja eventuale e këtyre kompanive të vogla të cilët nuk punojnë drejtpërdrejtë me klientët, por që marrin punë përmes dorës së dytë apo të tretë dhe se këto të punësuar do të punësohen në ato konfeksione të cilët do të sigurojnë më tepër produktivitet, kushte më të mira të punës dhe respekt të të drejtave të punëtorit”, tha kryetari i Odës së punëdhënësve, Angell Dimitrov.

Sipas zëvendës kryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev, nuk do të jetë numri i madh i kompanive të vogla të tekstilit të cilat nuk do të mund t’i bëjnë ballë presionit nga rritja e pagës minimale.

“Paga minimale është siguri për kategoritë më të rrezikuara të të punësuarve, të cilët nuk kanë alternativë në pjesën e mobilitetit për shkak të moshës së tyre apo arsyeve tjera. Me pagën minimale nuk bëjmë presion mbi kompanitë, përkundrazi mundohemi t’ju ndihmojmë me dy masa – subvencionimin e kontributeve dhe me Ligjin për ndihmë financiare”, tha Angjushev.

Ato kompani të cilat nuk do të mund ta paguajnë pagën minimale të garantuar, do të ketë opsion t’i shfrytëzojnë edhe mundësitë që i ofron Ligji për subvencionim të pagave, i cili është në procedurë parlamentare dhe pritet të hyjë në fuqi në muajin nëntor.

“Paga minimale është e garantuar si 14.500 denarë dhe ajo fillon nga dhjetori. Masa e subvencionimit të rrogave ka të bëjë me rritjen nga minimumi 600 deri në maksimumin 6.000 denarë dhe shteti në këtë rast e mbulon kontributin për rritje. Nëse ata e rrisin pagën për dy mijë denarë në nëntor me pagesë në muajin dhjetor, atëherë ata e kanë rritur pagën minimale dhe do t’i shfrytëzojnë subvencionet për rritjen e pagës. Pra, masat janë komplementare njëra ndaj tjetrës, por ajo nuk nënkupton se të gjithë do ta rrisin pagën minimale duke shfrytëzuar subvencione. Dikush do ta rrisë pagën me subvencione, dikush pa subvencione, por në çdo rast ne japim opsion që biznes sektori i cili nuk mund ta përballoj këtë rritje, të mund ta shfrytëzojë masën për subvencion]”, sqaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

Deri më tani 90 mijë qytetarë pranojnë rrogë minimale prej 12.500 denarë.