Neziri: VMRO e djeg të ardhmen e saj politike në altarin e nacionalizmin destruktiv


Në shkrimin e tij të fundit, analisti politik, Xhelal Neziri, shkruan për rolin e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Ai thotë se veprimet e fundit të kësaj force politike duke aluduar në mbi 35 mijë amandamentet e saj për Ligjin e gjuhëve janë veprime me të cilat VMRO-DPMNE e djeg të ardhmen e saj politike në altarin e nacionalizmin destruktiv, me të cilin vazhdon të ushqejë strukturat edhe udhëheqësia e re, shkruan Zhurnal.

“Është absurde që në këtë kohë të globalizimit gjuha e tjetrit të shndërrohet në problem. Aq më tepër kur të arriturat teknike dhe teknologjike kanë bërë që të tejkalohet çdo barrierë gjuhësore për çdokënd në rruzullin tokësor. Tani më gjuha është shndërruar në një formë komunikimi, e shkarkuar nga fobitë e ekspansioneve kulturore apo e mbisundimeve gjuhësore. Gjuha në fakt gjithnjë e më shumë kuptohet vetëm si një formë komunikimi, me ç’rast përmbajtja shpërfaqet si elementi i vetëm në procesin e komunikimit. Për dalllim nga më parë, kur vende me ndikim në botë përpiqeshin të përhapin gjuhën e tyre si parakusht i ekspansionit kulturor, me paraqitjen e Internetit dhe veglave të përkthimit, lufta për dominim gjuhësor bëhet gjithnjë më e pakuptimtë”, shkruan Xhelal Neziri, analist politik.

Në fakt, shkruan ai mëtej, po ndodh një trend i kundërt: institucione dhe media të një qytetërimi përçojnë përmbajtjen në gjuhën e qytetërimit tjetër të cilin dëshirojnë ta influencojnë. Institucionet amerikane që kanë të bëjnë me politikën e jashtme kanë ëeb-faqet e tyre edhe në gjuhën ruse apo arabe, ato ruse japin mundësi që qasje të kenë edhe ata që njohin gjuhën angleze apo kineze.

“Të dy vendet kushtimisht thënë armiqësore flasin gjuhën e njëri-tjetrit me qëllim të ndikimit në opinionin publik të kundërshtarit. Për to me rëndësi është që porosia e tyre të bartet deri te një numër më masovik pranuesish, ndërkohë që gjuhët paraqesin vetëm kanale komunikimi. Shumë media amerikane flasin në rusisht dhe anasjelltas. Për të dyja vendet kundërshtare nuk paraqet sot problem gjuha, por shfrytëzimi i saj pë të injektuar përmbajtje që mund të shkaktojë probleme në sistemet shtetërore të tyre”, thekson Neziri.

Sipas tij, natyrisht se gjuhët janë të rëndësishme për çdo popull, pasi si të tilla përbëjnë shtyllën kryesore identitare.

“Çdo popull ka të drejtë universale të përdorimit, mbrojtjes apo kultivimit të gjuhës amtare, pa cënuar gjuhën e tjetrit. Në këtë kontekst, urrejtja e shqipes si gjuhë është e pakuptimtë dhe tregues i një urrejtjeje nacionaliste absurde. Zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe nuk ngushton përdorimin zyrtar të asnjë gjuhe tjetër. As obligon ndonjë pjesëtar të një etnie që me dhunë të mësojë gjuhën që nuk i duhet. Asnjë ligj për asnjë gjuhë nuk mund ta bëjë këtë. Një gjuhë e huaj mësohet vetëm nga nevojat praktike, e jo nga imponimi i ligjeve apo pushteteve”, vlerëson Neziri

Ai thekson se, tani, kur ky ligj as nuk cënon gjuhë tjetër e as nuk del jashtë kornizave kushtetuese, pse VMRO-DPMNE dhe qarqe akademike maqedonase e sulmojnë dhe e bllokojnë? Profesori Ljubomir Fërçkovski thotë se këto akademikë udhëhiqen nga urrejtja nacionaliste e jo nga shkenca, duke djegur kështu titujt e tyre në altarin e mosdurimit të një etnie me të cilën bashkëjetojnë.

“Sipas kësaj logjike, VMRO-DPMNE e djeg të ardhmen e saj politike në altarin e nacionalizmin destruktiv, me të cilin vazhdon të ushqejë strukturat edhe udhëheqësia e re”, konstaton Xhelal Neziri, analist politik.