Nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit për besimtarët myslimanë


Besimtarët myslimanë në Maqedoni dhe në të gjithë botën nesër fillojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, i cili çdo vit vjen dhjetë ditë më herët dhe këtë vit zgjat 29 ditë.

Vlera e muajit të Ramazanit është e madhe për myslimanët sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e Kur’anit famëlartë, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra.

Muaji i Ramazanit është periudha në të cilën besimtarët myslimanë luten dhe agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij, duke u abstenuar nga çdo lloj i ushqimit dhe pijes si dhe kënaqësisë trupore.

Muaji i Ramazanit është muaj i lutjeve dhe veprave të mira. Gjatë Ramazanit pjesëtarët e islamit duhet të mbrohen nga sjelljet dhe veprimet e këqija. Pjesëtarët e islamit të cilët nuk mund të agjërojnë gjatë Ramazanit, janë të detyruar t’i agjërojnë ditët e humbura, kur do të kenë mundësi.

Nëse gjatë Ramazanit pa dashje ndërpritet agjërimi, ai mund të vazhdohet përsëri. Agjërimi ka edhe dimensione shëndetësore. Sipas Muhametit a.s. të agjërosh do të thotë të jesh i shëndoshë.

Ramazani përfundon me festën e Fitër Bajramin më 4 qershor i cili zgjat tre ditë.