Nëntë paga shpërblim, KSHZ sot do të mbajë seancë publike


Pas deklaratës së ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, dje nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor duke reaguar paralajmëruan se sot do të mbahet seancë ku do të shqyrtohet marrja e kompensimeve, njofton Portalb.mk.

“Vendimet për kompensim janë bërë në bazë të ligjit dhe rregullave ligjore, por për shkak të thirrjes së opinionit, anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vendosën që në një seancë publike e cila do të mbahet më 05.12.2017 këtë vit të debatojnë mbi projekt-vendimet për revokimin e vendimeve të miratuara, vendimet për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe punonjësit në shërbimin profesional për zgjedhjet e zbatuara”, thuhet në kumtesë.

Nga KSHZ dje njoftuan se kompensimi është bërë në bazë të nenit 19 të Kodit Zgjedhor, i përcaktuar nga një akt i miratuar, i cili që nga vitit 2006 vlen për kryetarët kurse që nga viti 2014 vlen për anëtarët e Komisionit.
Përndryshe, ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli dje deklaroi se: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit në Maqedoni ka shpërblyer veten me 9 rroga shtesë”, ndaj kësaj reagoi KSHZ duke thënë “se kompensimet janë marrë në baza ligjore”.