Në Shkup sot protestohet: “Të thajmë lotë dhe të shërojmë plagët” e shqiptarëve


“Të thajmë lotë dhe të shërojmë plagë”, është lajmi që përcjell protesta e organizuar për sot, ku kërkohet që rasti Lagjja e Trimave të rikualifikohet dhe të kthehet në rigjykim, për shkak të siç thonë organizatorët, dhjetëra shkeljeve procedurale.

Ata theksojnë se do të protesojnë derisa të përmirësohen gabimet e shtetit, lidhur me këtë rast dhe me të gjitha rastet e tjera që janë dënuar shqiptarët, duke përfshirë rastin e Ladorishtit, Gostivarit, Bitpazari, Sopoti, Harun Aliu, rasti Monstra dhe së fundi, Lagjja e Trimave.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Shpëtim Pollozhani, tha se për të organizuar këtë protestë janë motivuar nga deklaratat dhe qëndrimet e shumë institucioneve relevante botërore, të cilët kanë vlerësuar se në Maqedoni shkelen të drejtat e njeriut, me theks të veçantë në procedurat paraprake dhe në gjykata.

SHPËTIM POLLOZHANI, KRYETAR I SHOQATËS SË TË BURGOSURVE POLITIK
“Në kuadër të gjithë kësaj hyn edhe deklarata e kryeministrit aktual Zoran Zaev, të dhënë në lagjen Kapishtec të komunës Qendër më 04.12. edhe në takim me kryeministrin e Kosovës, se rasti Lagjja e Trimave është një rast i fabrikuar nga ish pushteti Gruevski dhe se duhet ky rast të revitohet. Ai gjithashtu disa herë ka përsëritur se duhet të bëhet ekspertiza nga ekspertë ndërkombëtar, por duke marrë parasysh faktin që deri tani nuk është ndërmarrë asgjë, ka kaluar një muaj nga kjo deklaratë. Ne insistojmë që ky rast të rikualifikohet dhe të rigjykohet nga fillimi, pasi këtu janë bërë dhjetra shkelje procedurale “

Ai ftoi të gjithë që më 30 dhjetor, t’i bashkohen protestës, e cila do të fillojë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, dhe më pas do të marshojnë deri para Gjykatës së Apelit.