Në Nju-Jork raund i ri i negociatave për emrin


Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe të Greqisë të enjten dhe të premten do të kenë takim të ri me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Methju Nimic, i cili do të mbahet në Nju-Jork, pasi gjatë fundjavës kryeministri Zoran Zaev pas takimit të liderëve e zbardhi propozimin për të cilin u bisedua në negociatat në Sofje, Republika Ilinditase e Maqedonisë. Takimi është nga rëndësia e jashtëzakonshme, shumica e konsiderojnë si kyç, duke e pasur parasysh atë se pas negociatave të ripërtërira për kontestin 25 vjeçar, kryeministrat e dy vendeve gjatë takimit të dytë në katër sy për herë të parë erdhën deri në një zgjidhje e cila do të mund të jetë e pranueshme për të dyja palët. Por shkurt pasi Zaevi e dha publikisht propozimin, kabineti i Ciprasit doli me qëndrim se pala greke kërkon përcaktim kohor ose gjeografik. Qeveria e Maqedonisë dje doli me qëndrim se Republika Ilinditase e Maqedonisë, në të vërtetë i plotëson kushtet për përcaktim kohor, edhe pse shumica thonë se “Ilinditase” është në të vërtetë përcaktim historik në të cilin një pjesë e partive opozitare në Greqi kanë gjetur irredentizëm. Republika Ilinditase e Maqedonisë është emër me përcaktim të përkohshëm, i cili i referohet datave konkrete nga e kaluara dhe është një mundësi reale për kompromis, i cili i kënaq të dyja palët. Presim se propozimi do të kuptohet dhe do të gjejë mbështetje më të gjerë në Athinë, kumtoi sot Qeveria e Maqedonisë.

“Me këtë emër, bëjmë kufizim të plotë me rajonin Maqedoni – Greqi. Kufizimi nga çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e të gjithë popujve multietnikë për të drejta dhe liri sociale. Nuk ka kurrfarë aspirata territoriale kundrejt asnjë vendi fqinj, duke e përfshirë edhe Greqinë. Kjo është lufta e njëjtë, edhe në vitin 1903 edhe në vitin 1944”, theksohet në kumtesën e Qeverisë. Për emrin dje u deklarua edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, e cila theksoi se qëllimi ynë për të gjetur zgjidhje e cila do të jetë pozitive edhe për Maqedoninë edhe për Greqinë është arritur me këtë propozim pako. Theksoi se Republika Ilinditase e Maqedonisë paraqet bazë të shkëlqyer për zgjidhje, për atë që, ajo nënkupton përcaktim kohor, përputhet me data të rëndësishme të historisë dhe tregon se Republika e Maqedonisë as nuk ka pasur, e as që do të ketë pretendime territoriale. Sipas mediave greke ky takim i Dimitrovit dhe Koxias me Nimicin është nga rëndësia e jashtëzakonshme dhe kyçe gjatë negociatave.

Maqedonia e Epërme dhe e Re si variante të mundshme për zgjidhje, sërish kthehen në tryezë, sipas mediave greke, pasi Athina zyrtare, dje në mënyrë indirekte e hodhi poshtë emrin “Republika Ilinditase e Maqedonisë” dhe shtoi se duhet të gjendet zgjidhje e përbashkët me përcaktim gjeografik ose kohor, siç parashikon pakoja e propozimeve e Nimicit. “Sipas informatave, Greqia duket se kërkon dalje në opsione të tjera, ndërsa konkretisht, ‘jo’ e fuqishme çon drejt propozimeve fillestare që janë parashtruar, posaçërisht Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Re, pa përkthim dhe gjithsesi për përdorim të përgjithshëm. Ndërkaq, disa potencojnë se përcaktimi kohor (E Re) ndoshta ka më shumë mundësi”, shkruan onlajn edicioni i gazetës greke “Ta nea” dhe komenton se edhe këto dy emra kanë “po ashtu peshë negative”, por në krahasim me “Ilinden”, më lehtë do të gjendej gjuhë e përbashkët me partitë nga opozita. Për kontestin me emrin Cipras të premten përmes telefonit bisedoi e dhe me nënpresidentin amerikan Majk Pens.

Sipas kumtesës së Shtëpisë së Bardhë, Pens “iu falënderua Ciprasit për udhëheqjen e dëshmuar, së bashku me atë të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, në tentimin e tyre për ta zgjidhur kontestin dhjetëvjeçar për emrin e Maqedonisë”. Pens e inkurajoi Cipras për të vazhduar të punojë me kryeministrin Zaev për zgjidhje të përbashkët të pranueshme. Koxias, ndërkaq sot e fillon vizitën në SHBA në kuadër të së cilës do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Majk Pompeo, me këshilltarin për siguri nacionale, Xhon Bolton dhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh. Sipas mediave greke, negociatat për emrin do të jenë një prej temave të agjendës së takimeve të Nikos Koxias. Ai do të ketë takime edhe me ndihmës sekretarin e shtetit, Ues Miçel, si dhe me këshilltarin për siguri nacionale të SHBA-së, Xhon Bolton. Gazeta “Elefteros tipos” shkruan se Koxias fillon aktivitetet diplomatike maratone në kohëzgjatje prej pothuajse dy javë. Nga SHBA-ja, ai sipas gazetës, do të udhëtojë për në Bruksel, ndërsa prej atje për në Gjermani.