Në mesnatë mbaron fushata për referendumin


Propaganda publike për referendumin e së dielës mbaron sonte në mesnatë. Deri atëherë do të duhet të mbarojnë të gjitha aktivitetet e pjesëmarrësve në fushatë, pasi që nga mesnata fillon heshtja parazgjedhore, njofton Portalb.mk.

Koalicioni “Dil PËR Maqedoni Evropiane” sonte tubimin përfundimtar do ta ketë në Tetovë, gjithashtu edhe Aleanca për Shqiptarët do të mblidhet në Tetovë, ndërkaq Lëvizja BESA në Çair të Shkupit. Konferencë për shtyp ka paralajmëruar Trupi Koordinues Kundër Referendumin në Kongresin Botëror Maqedonas e cila ka thirrur për bojkotim të referendumit.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dje njoftoi se fushata “qëndrimi yt, e drejta jote” e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), si fushatë e interesit publik nuk bën pjesë në propagandën e referendumit dhe mund të transmetohet edhe të shtunën, edhe të dielën edhe pse do të jetë heshtje zgjedhore.

Sipas rregullave të Kodit Zgjedhor, prej mesnatës në kontekst të “heshtjes zgjedhore”, nga hyrja e saj në fuqi, deri në mbylljen e kutive zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas ligjit, gjatë “heshtjes zgjedhore”, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale lidhur me pjesëmarrësit në zgjedhje. Shkelje e “heshtjes zgjedhore” konsiderohet edhe lajmërimi i hapur apo i fshehur për ndonjë fushatë zgjedhore.