Ndalesë për kamionë në rrugën Gostivar-Mavrovë-Dibër


Në rrugën Gostivar-Mavrovë-Dibër nga ora 6:30 e mëngjesit është vendosur ndalesë për automjete të rënda transportuese, informon Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM).

Komunikacioni në rrugët e shtetit zhvillohet nëpër rrugë të lagështa, në vendet më të larta ka mbetje të borës së shkrirë pas intervenimit të shërbimeve kujdestare të NP Rrugët të Maqedonisë. Borë me intensitet të dobët bie në Dibër, Mavrovë, Strazhë, Presekë dhe Strugë, e cila për momentin nuk mbetet në rrugë.

LAMM rekomandon lëvizje të kujdesshme, shpejtësi të përshtatur të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur të komunikacionit. Në grykat është e mundur rrëshqitje e tokës, sidomos në rrugët: Koçan – Makedonska Kamenicë – Dellçevë, Vinicë – Berovë, Gostivar – Strazhë, Mavrovë – Dibër – Strugë, Demir Kapi – Udovë, Katllanovë – Veles, Krushevë – Demir Hisar dhe Resnjë – Bukovë.

Intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nuk ka ndalesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Në fuqi është detyrimi ligjor për posedim të pajisjeve dimërore në automjete.