Naser Raufi: “Së shpejti do të dalin në opinion emrat organizatorëve të “Monstrës”


Sipas pohimeve të Raufit, rasti “Monstra” është orkestruar dhe organizuar prej shërbimeve sekrete dhe ai pret zbardhja e tij të ndodh më së voni deri pesë seanca dëgjimore.

Për BDI-në, epilogu i rastit “Monstra” i pritur dhe i drejtë ndërsa nga VMRO – DPMNE-ja me akuza të rënda: Teroristët e vërtetë lirohen ndërsa patriotët burgosen!


Edhe pas disa ditëve pas lirimit të të burgosurve në rastin “Monstra”, nuk pushojnë reagimet e partive politike. Në bisedë për “Nezavisen Vesnik”, avokati i të akuzuarve Naser Raufi tha se pret që së shpejti me emër dhe mbiemër të dalin në opinion organizatorët e vërtetë të rastit “Monstra” dhe se Prokuroria Publike Speciale ka për obligim të merr këtë rast nën ingerencat e saj. Raufi sqaroi se të akuzuarit nuk janë në arrest shtëpiak, por janë të lirë me obligim të paraqiten në Gjykatë dhe mos të largohen nga Shkupi.

“Rasti “Monstra” është orkestruar dhe organizuar nga shërbimet sekrete dhe pres që i njejti të zbardhet pas pesë seancave dëgjimore. Këtë e them përshkak se pres që Prokuroria në mungesë të provave të tërhiqet. Po ashtu mendoj që motivi për montimin e këtij rasti është politik dhe shumë shpejt me emra dhe mbiemra do të dihen organizatorët e vërtetë të këtij rasti”, deklaroi Naser Raufi.

Haki Haziri i cili është një prej të akuzuarve për TV Shenja tha se drejtësia më në fund ka dalë mbi sipërfaqe dhe se për të dhe familjen e tij ka qenë shokuese ditën kur është arrestuar.
“Emocionet nuk mund të përshkruhen. Akoma jemi në shok, si në ëndërr, nuk mund të besojmë. Po ashtu ishim në shok ditën kur na arrestuan, por çdoherë kemi qenë të bindur në pafajsinë tonë dhe se drejtësia do ta thotë fjalën e fundit”, deklaroi Haki Haziri.

Edhe partitë politike me reagime të tyre për rastin “Monstra”. Për partnerin e koalicionit të LSDM-së, BDI, epilogu ishte i pritur, i drejtë dhe në drejtim të reformave që kërkon Bashkimi Evropian. Nga partia e Ali Ahmetit mes tjerash me kritika të ashpra drejtuar partive politike që për pikë ditore bëjnë keqpërdorimin e këtij vendimi.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e përshëndet vendimin e Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit “Monstra”, si dhe lirmin e të akuzuarve të cilët do të mbrohen në liri. Kërkesa e Prokurorisë, si dhe vendimi i Gjykatës janë të drejtë dhe në përputhshmëri me pritshmërinë tonë dhe të qytetarëve. Ne jemi tërësisht të përkushtuar reformës në Gjyqësor që është në vijë paralele me rekomanimet e Bashkimit Evropian dhe sundimin e së drejtës dhe ligjeve që ngjallën shumë dyshime. Është për të ardhur keq keqpërdorimi i kësaj dite të veçant dhe vendimi nga ana e partive politike shqiptare. Abuzimi politik i fatit të popullit dhe dështimi për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme zëvendësohen me retorikë shpifëse, ndarëse dhe të ndezshme”, deklaruan nga BDI.

Nga partia opozitare maqedonase VMRO – DPMNE me reagim të ashpër për lirimin e të akuzuarve në rastin “Monstra”. Sipas partisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, përderisa patriotët, që kanë luftuar për Maqedoninë dhe ndjejnë dashuri për këtë vend burgosen, nga ana tjetër, personat kryesor, ata që e bën vrasjen e fëmijëve, janë të liruar.

“Personat kryesor që i vranë fëmijët në Liqenin e Smillkovës për këto vepra do të mbrohen në liri, nga ana tjetër arrestohen patriotë që e duan Maqedoninë”, qëndron në reagimin e VMRO – DPMNE-së.

Blerim Ismaili