Mukovski: Nuk ka kushte për paraburgim, por gjykatësi do të ketë fjalën e fundit


Nuk ka kushte për paraburgim, por sërish gjykatësi do ta këtë fjalën e fundit, ka deklaruar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Kërste Mukoski, para se të hyjë në seancën dëgjimore para gjykatësit për procedurë para hetimore për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Mukoski me këtë rast u shpreh se rregullisht është paraqitur në gjykatë dhe se beson në drejtësi. Përveç Mukoskit në Gjykatë sot u paraqitën edhe deputetët Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, ndërkohë që pritet të paraqiten edhe Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov dhe Ljupço Dimovski.

Gjashtë deputetët janë pjesë e 36 personave të cilët Prokuroria Themelore Publike i përndjek për “rrezik terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë” lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Të premten, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ua hoqi imunitetin, ndërsa njoftimi në Gjykatën Penale nga Parlamenti arriti dje, ku iu dorëzua gjykatësve kompetentë në procedurë paraprake, me çka u krijuan kushte që të veprohet rreth propozimit të prokurorisë.