MPB i hulumton shkaqet për zjarrin në Ministrinë e Drejtësisë

Për momentin MPB po zhvillon hetim për atë që ka ndodhur dhe si ka ardhur deri te shpërthimi i zjarrit në Ministrinë e Drejtësisë, në të cilin tërësisht janë djegur zyrat e katit të katërt, ndërsa konfirmohet sa është dëmi i bërë material, deklaroi sot zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.

Ai theksoi se disa zyra tërësisht janë shkatërruar nga zjarri, por siç tha, së pari do të konfirmohet se deri në cilën shkallë është bërë dëmi i materialeve të caktuara.

“Në katin e katërt ku është dëmtimi më i madh, gjendet një pjesë e dokumentacionit për ndihmë juridike ndërkombëtare, Reparti për ndihmë juridike ndërkombëtare, një pjesë e kontabilitetit dhe një pjesë e sektorit për financa të Ministrisë së Drejtësisë”, tha në konferencën e sotme për shtyp, Boshnjakovski.

Mirë është, shtoi ai, që nuk ka persona të lënduar dhe viktima. Reagimi i shpejtë i kompetentëve, tha, e ka penguar përhapjen e zjarrit në ndërtesat dhe objektet në afërsi.

Zjarri në Ministrinë e Drejtësisë shpërtheu dje pasdite, ndërsa është denoncuar në orën 16:47 minuta. Në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar 10 automjete me 25 zjarrëfikës.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski, ishte në ndërtesën e Ministrisë në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Në një deklaratë për mediat, Ristovski tha se ishte në zyrën e tij, por pasi u aktivizua alarmi, ai u evakuua së bashku me punonjësit. Ai deklaroi se zjarri shkaktoi vetëm dëme materiale.

“Ne nuk e dimë se cili është shkaku i zjarrit. Pres që të vazhdojnë hetimet”, tha Ristovski. Ai shtoi se zyrat ku janë mbajtur dokumentet nuk janë shkatërruar. /Express/