Aleanca për Shqiptarët: Mohojmë zërat se do të rikthehemi në Qeveri


Disa media vendore sot kanë shkruar se Aleanca për Shqiptarët do të rikthehet në Qeveri. Këto media shkruajnë se presioni i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar duket se do të kthejnë Ziadin Selën në qeverinë e cila drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev.

Por në mënyrë eksprese këto lajme janë përgënjeshtruar nga Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti për Zhurnal thonë se janë të fokusuar në konsolidimin strukturor, dhe po i bëjnë përgatitjet për Kongresin e I-rë të ASH. Lajmet e ditës së sotit që kinse ASH do të rikthehet në Qeveri i konsiderojnë si gënjeshtra dhe jo të vërteta.

“Mohojmë lajmet e publikuara se ASH do bëhet pjesë e Qeverisë. “Ne sapo u larguam nga Qeveria për arsye parimore, duke dhënë një mesazh politik, se marrëveshjet politike duhet respektuar”. Qëllimi ynë është të marrim verdiktin e votuesve shqiptarë, në zgjedhjet e ardhshme, kemi dhënë shembuj gjatë gjithë kësaj periudhe se Aleanca për Shqiptarët ka kapacitet politik dhe kadrovik, ka antarësi solide dhe mbi të gjitha Lidership të vendosur në artikullimin dhe realizimin e objektivave programore drejt një barazie politike -ekonomike mes dy etniteteve me të mëdha, e më pas duke krijuar ardhmëri integruese për të gjithë qytetarët e RM-së”, thonë për Zhurnal, nga Qendra për Informim të Aleancës për Shqiptarët. / Zhurnal.