Mickovski: S’kemi marrëveshje për t’u kthyer në Kuvend


VMRO DPMNE nuk heq dorë nga bllokimi i Ligjit për Gjuhët. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickovski, demantoi çfarëdo lloj spekulimesh, siç i quajti ai, zërat se partia e tij do të lëshojnë pe ndaj ligjit për gjuhët dhe se kanë ndonjë kompromis me pushtetin për t’u kthyer në Parlament. Kryeparlamentari Talat Xhaferi dje tha se po negociojnë me VMRO-në për zhbllokimin e punës së Kuvendit, ndërsa Mickovski si kompromis e sheh vetëm tërheqjen e tërësishme të ligjit dhe formimin e një grupi ekspertësh i cili do të modifikonte ligjin në atë mënyrë që do të jetë në pajtueshmëri kushtetutën.

HRISTIJAN MICKOVSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË

“Këtë spekulim për herë të parë po e dëgjoj prej juve. Absolutisht nuk ka asgjë të tillë, askush nuk ka folur asgjë në këtë drejtim. Kuptohet se ne jemi të obliguar për ta relaksuar atmosferën politike dhe opozita duhet të jetë pjesë e këtij procesi, por siç thonë edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, ambientin demokratik më së shumti e ka për obligim që ta krijojë Qeveria. Ne kemi thënë se do jemi opozitë konstruktive që punon në interes të qytetarëve të Maqedonisë”

Mickovski bëri thirrje për një zgjidhje me të cilën nuk do të cënohej e drejta dhe ndjenjat e asnjë etniteti në Maqedoni.

HRISTIJAN MICKOVSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË

“Nëse dikush vërtetë mendon të mirën e një etniteti tjetër në Maqedoni, duhet të mbajë llogari edhe për ndjenjat e qytetarëve të tjerë. Nuk duhet të luajë as me ndjenjat e tyre e as me ndjenjat e qytetarëve të tjerë të Maqedonisë”

Mickovski foli edhe për takimin e së shtunës me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, takim i parë pasi që është emëruar në postin e kryetarit të partisë dhe tha hapur që partia e tij, nuk do të shesë populizëm dhe nuk do të luajë me emocione të ulëta për përfitime politike. Shenja TV